Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

ATK-ja identifikon dhjetëra raste të falsifikimit të vërtetimeve tatimore për subvencione

vërtetim tatimor

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka identifikuar dhjetëra raste të dyshuara të falsifikimit të vërtetimeve tatimore, të cilat janë përdorur ose synuar të përdoren për aplikim në subvencione.

Sipas ATK-së, rastet janë identifikuar gjatë dy javëve të fundit dhe janë përcjellë te organet kompetente për trajtim të mëtejmë dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore.

ATK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të mos përdorin, paraqesin apo përgatisin dokumente të falsifikuara për të përfituar subvencione ose përfitime të tjera, duke paralajmëruar se tentativa të tilla do të kenë pasoja ligjore.

Administrata Tatimore ka theksuar se mekanizmat e saj të verifikimit mundësojnë identifikimin e dokumenteve të falsifikuara dhe parandalimin e keqpërdorimeve.

“Transparenca, ligjshmëria dhe ndershmëria janë përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në njoftimin e ATK-së.