Arbëri

Hoxha: Është ofendim të krahasohet UP-ja me kolegjet private

Dibran Hoxha, koordinator në Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka thënë se është ofendim të krahasohet Universiteti i Prishtinës (UP) me kolegjet private në Kosovë.

Ai ka pohuar të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, se UP-ja është shumë larg nga kolegjet private në aspektin e cilësisë.

“UP-ja me cilësi dhe kjo është e matshme, është larg, shumë larg ndaj kolegjeve private, është ofendim të krahasosh UP-në me kolegjet private”, ka thënë Hoxha.

ORCA, sipas tij, vlerëson se institucionet private në arsimin e lartë, janë shkatërruese të sistemit arsimor të lartë në Kosovë.

“Kolegjet private regjistrohen si biznese që duan të tregtojnë mallra. Dija nuk mund të tregtohet. Ajo që propozuam ishte që këto të bëhen organizata jofitimprurëse si praktikat në vendet më të zhvilluara të botës. Ne e kemi bërë sot krahasim me organizata jofitimprurëse që e qarkullojnë profitin brenda institucionit, për të ndërtuar për shembull laboratorë dhe për rritjen e cilësisë, e jo të përfundojnë paratë nga fitimet në xhipa e në banesa. Nuk po adresohet çështja e mbi 20 mijë diplomave të pavlefshme që janë lëshuar, kryesisht nga kolegjet private, kjo nënkupton 20 milionë euro. Në Kosovë rreth 20 mijë diploma dyshohet se janë të pavlefshme”, ka thënë Hoxha.

ORCA ka kërkuar të ndryshohet statusi i kolegjeve private - nga biznese fitimprurëse në organizata jofitimprurëse, me një aksion simbolik para hyrjes së Kuvendit të mërkurën.

Aktiviteti është realizuar pak para mbledhjes së Komisionit Parlamentar për Arsim ku është organizuar dëgjimi i tretë publik për Ligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim.