Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka konfirmuar se janë sulmuar tre mjekë nga qentë endacakë.
Sipas SHSKUK-së, dy mjekë janë sulmuar në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe një jashtë QKUK-së.
“SHSKUK ka kërkuar dhe në vazhdimësi dhe kërkon nga organet kompetente që të trajtojnë me prioritet çështjen e qenve endacak brenda oborrit të QKUK-së. Po ashtu, konfirmojmë se tre mjekët kanë marrë trajtimin e duhur mjekësor në kuadër të QKUK-së”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së në Facebook të enjten.
Problemet me qentë endacakë janë shpeshtuar kohëve të fundit. Me gjithë premtimet se do të bëhet zgjidhje, deri tani nuk është gjetur një e tillë.