Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kina kërkon nga Kosova e Serbia “zgjidhje të qëndrueshme politike”

Zv.përfaqësuesi i Kinës në Këshillin e Sigurimit, Dai Bing, gjatë seancës të së mërkurës mbrëma, ku u shqyrtua raporti i rregullt gjashtëmujor për Kosovën i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, ka kërkuar që “mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet një zgjidhje politike e qëndrueshme”.

Përfaqësuesi kinez ka thënë se duhet të ruhet stabiliteti dhe siguria e Kosovës, por sipas tij “edhe të respektohet sovraniteti i Serbisë”.

“Ruajtja e stabilitetit në Kosovë është e rëndësisë së jashtëzakonshme. Duhet të arrihet te një zgjidhje politike e qëndrueshme nga të dy palët. Të ruhet stabiliteti dhe siguria e Kosovës”, ka thënë ai.

Përfaqësuesi kinez më tej ka pretenduar se që nga muaji shtator i vitit të kaluar, Kosova ka ndërmarrë disa vendime të njëanshme që, sipas tij, çojnë te rritja e tensioneve.

“Marrëveshja e përkohshme për targat është duke skaduar dhe duhet të arrihet një marrëveshje përfundimtare. Kina beson që çfarëdo vendimi i njëanshëm rezulton në shtyrjen e arritjes së marrëveshjes midis dy vendeve”, ka thënë ai.

Më tej përfaqësuesi kinez ka thënë se Kina e inkurajon Kosovën që të respektojë marrëveshjen e Brukselit, duke e themeluar sa më shpejt Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.