Arbëri

Lekaj del para gjykatës, nis rasti “53 milionët”

Ka nisur gjykimi ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt, për rastin e 53 milionë eurove shtesë në emër të vonesave për konserciumin “Bechtel-Enka”, që ka ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.

Në fillim të shkurtit, Prokuroria Speciale pati ngritur aktakuzë ndaj Lekajt dhe ish-këshilltarit të tij, Eset Berisha. Në rastin e njohur si “53 milionët”, Lekaj akuzohet se ka fshehur raportin e kompanisë “Hill, e që kishte arsyetuar se borxhi prej 53 milionë eurosh ishte joreal dhe se Qeveria do të duhej të paguante 39 milionë euro më pak sesa i kërkoheshin.

Me të nisë gjykimi të merkurën, Lekaj e Berisha kanë kërkuar të shtyhet seanca. Në fillim Lekaj u shpreh se s’e ka pranuar aktakuzën, ndërsa përgjigja e gjyqtares ishte e shpejt se menjëherë do të bëhet dorëzimi i aktakuzës. Lekaj e ka cilësuar voluminoze aktakuzën ndaj tij duke thënë se i duhet kohë për ta lexuar dhe në mënyrë që të deklarohet për këtë çështje ka kërkuar kohë shtesë.

Prokurori ka thënë se të gjithë të pandehurit janë pajisur me shkresa të lëndës. “Sa i përket Pal Lekajt është pajisur me të gjitha shkresat avokati Arianit Koci, që në atë kohë ka pasur autorizim për përfaqësim të Lekajt. S’është faji i Prokurorisë që avokatët s’komunikojnë mes vete”, ka thënë prokurori Valdet Gashi.

Pas deklaratave gjyqtarja ka refuzuar kërkesën e Lekajt dhe seanca ka shkuar në pauzë për një orë kohë që ish-ministri ta lexojë aktakuzën.

KOHA më shumë se dy vjet me parë pati siguruar një raport të kompanisë “Hill” , e cila ishte e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për mbikëqyrjen e ndërtimit të autostradës “Arbën Xhaferi”.

Qeveria e Kosovës kishte themeluar komitet ndërministror për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”. Anëtarët e këtij komiteti nuk ishin në dijeni të këtij raporti e asokohe Ministria e Infrastrukturës pati reaguar kundër raportimit duke e mohuar ekzistencën e raportit. KOHA e posedon ende një kopje të raportit ku shkruhet edhe data e dorëzimit në këtë ministri.

Ky raport nuk kishte shkuar zyrtarisht në Qeveri, por ishte ndalur në Ministrinë e Infrastrukturës e në mungesë të tij ishte aprovuar pagesa prej 53 milionë eurosh.