Arbëri

“Rasti Tetaj” shkak që Prokuroria ka nisur hetimet ndaj Odës së Avokatëve

Descriptive Text

Ka ngecur procesi gjyqësor në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, prej qershorit të vitit të kaluar, kur edhe është përjashtuar avokati i të akuzuarit Shaban Gogaj, Besnik Berisha. Nga atëherë, Oda e Avokatëve refuzon ta caktojë një avokat tjetër në këtë rast. Meqë ky kualifikohet si veprim i jashtëligjshëm, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj Odës së Avokatëve

Prokuroria ka nisur hetimet ndaj Odës së Avokatëve, pas dhjetë muajsh prej kur kjo odë refuzon të caktojë avokat për të akuzuarin për vrasjen e Agonis Tetajt. Ky përcaktim i odës ka bërë që procesi gjyqësor në këtë rast të mund të zhvillohet prej gati një viti.

Prej qershorit të vitit të kaluar, kur edhe është përjashtuar avokati i të akuzuarit Shaban Gogaj, Besnik Berisha, procesi gjyqësor vazhdon të jetë pa ndonjë rezultat.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për Odën e Avokatëve, për bllokimin e rastit të vrasjes së Agonis Tetajt.

Në një përgjigje për KOHËN që ka dhënë organi i akuzës, është thënë se Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë për grumbullimin e informatave dhe provave, për të sqaruar këtë çështje.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke e trajtuar këtë çështje. Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë për grumbullimin e informatave dhe të provave, me qëllim të sqarimit të plotë të kësaj çështjeje”, thuhet në përgjigjen e Prokurorit të Shtetit.

Ky hetim është iniciuar, pasi që Ministria e Drejtësisë kërkoi nga prokuroria veprim urgjent, pasi që OAK-ja nuk lejon avokat tjetër për të akuzuarin Shaban Gogaj. Njëri nga avokatët e caktuar nga trupi gjykues, njoftoi se është kërcënuar nga Oda se do t’i hiqet licenca në rast se pranon ta përfaqësojë Gogajn.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, në një intervistë për KOHËN më 7 prill, ka thënë se u janë drejtuar institucioneve përgjegjëse për të vepruar.

“Mbi bazën e kësaj ne kemi reaguar, ju kemi shkruar njëkohësisht edhe institucioneve përgjegjëse, si Prokurorisë së Shtetit dhe Këshillit Gjyqësor për ndërmarrjen e masave ligjore ndaj kryesuesve të Odës së Avokatëve dhe prokurorit disiplinor”, ka thënë ai. “Tash mbetet në dorën e Prokurorisë që të marrë masa urgjente në drejtim të zgjidhjes së kësaj lënde kaq të ndjeshme”.

Në seancën e kaluar, nëpërmjet një shkrese i është drejtuar gjykatës avokati Gani Kelmendi, i caktuar nga trupi gjykues. Ai ka thënë se e kishte telefonuar prokurori disiplinor i OAK-së, i cili edhe i kishte tërhequr vërejtjen se nëse ai përfaqëson Gogajn, do të ketë pasoja deri në heqjen e licencës së avokatit.

“Në bisedë e sipër, prokurori disiplinor z. Rezhep Veseli ma tërhoqi vërejtjen dhe më paralajmëroi për pasoja deri në heqjen e licencës së avokatit, po qe se unë do të përfaqësoj në çështjen penale të evidentuar me nr- PKR.nr.43/19, e i cili ma përkujtoi se po ekzistuaka një vendim i Odës së Avokatëve që po u ndaluaka avokatëve të prezantojnë në këtë çështje. E nderuara gjyqtare, duke qenë se ekzistojnë këto rrethana, për fat të keq, pa vullnetin tim heq dorë nga ky përfaqësim, nga se rrezikohem të më hiqet e drejta e përfaqësimit nga OAK-ja edhe për çështje të tjera, e si rrjedhojë rrezikohet edhe ekzistenca ime”, kishte shkruar ai, në shkresën që ia kishte drejtuar gjykatës.

OAK-ja nuk ishte dorëzuar edhe pas vendimit që Qeveria e Kosovës mori për të ndaluar ekzekutimin e vendimit. Madje, edhe MD-ja e KGJK-ja e paralajmëruan se do të ndërpresin bashkëpunimin nëse vazhdon të mos heqë dorë nga vendimi i saj, por as kjo nuk ka bërë punë.

29-vjeçari Agonis Tetaj ishte vrarë në vendin e tij të punës në shtator të vitit 2018.

Rasti ishte kthyer në pikën zero, pas reagimit të babait të viktimës, i cili alarmoi institucionet dhe ambasadat në Kosovë, për shkak se prokurori i rastit në fjalën përfundimtare kishte vendosur ta rikualifikonte veprën penale nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia. Atëkohë qe publikuar edhe një video e momentit të vrasjes, kur shihet i dyshuari tek ia drejton armën Tetajt dhe më pas shkrep në të.