Arbëri

MD-ja akuzon Prokurorinë Speciale për propagandë e manipulim në rastin Dehari

Ministria e Drejtësisë ka hedhur akuza të rënda ndaj Prokurorisë Speciale të Kosovës duke thënë se ajo po bën propagandë e manipulim në rastin e Astrit Deharit, ish-aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, që u gjet i vdekur më 5 nëntor të vitit 2016 në burgun e Prizrenit.  Në një komunikatë për media të enjten në mëngjes, MD-ja ka thënë se kjo Prokurori po manipulon duke publikuar konkludime të pjesshme të ekspertizës plotësuese të Institutit zviceran e se “po tenton ta vrasë zbardhjen e drejtësisë”.

Të martën Prokuroria Speciale ka njoftuar se më 1 prill ka pranuar raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit. Sipas njoftimit dërguar mediave, raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë për rastin e Astrit Deharit, konstaton se “analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me Deharin, në momente të afërta me vdekjen (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali) nuk kanë treguar profil të ADN-së për veç të atij, Astrit Dehari”. Gjithashtu në raport, sipas Prokurorisë Speciale, thuhet se analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Deharit, kanë treguar prani të kafeines e jo etanolit. 

“Thirrjet qytetare 'Drejtësi për Astritin'!, janë thirrje për triumf të drejtësisë. Drejtësia duhet të jetë e plotë, assesi e mangët. E qartë, assesi konfuze. E saktë, në hetimet e plota që duhet të kryhen dhe me ekspertizë shkencore. Rasti i Astrit Deharit ka tronditur çdo qytetar të Republikës së Kosovës.​ Jemi dëshmitarë të gjithë, që kur u dha lajmi që Astrit Dehari nuk është më i gjallë, një sërë implikimesh të institucioneve, qofshin ato të drejtësisë, qofshin mediet e pushtetit të atëhershëm, u sulën për të trumbetuar ‘vetëvrasjen’ e Astrit Deharit”, thuhet në hyrje të komunikatës së MD-së.

Ministria e Drejtësisë ka thënë se Prokuroria Speciale pasi ka marrë ekspertizën plotësuese ka dalë me “me vrap për të propaganduar njëanshëm rezultatin e këtij raporti, përmes një komunikate, që dëshmon për mangësi të theksuar intelektuale, mungesë totale të njohurive shkencore, gjuhë krejtësisht jo profesionale edhe qëllim dashakeq”.

“Jemi të zhgënjyer me këtë qasje! Ende pa e pranuar familja e Astrit Deharit raportin e Institutit zviceran, Prokuroria Speciale publikon 2 konkluzione dhe jo 5 sa janë në tërësi ato”, thuhet në reagim të MD-së.

Kjo ministri ka thënë se “nxitimi me komunikatë nga Prokuroria Speciale sikurse deklaratat e menjëhershme asokohe të kreut të policisë dhe të Prokurorisë Themelore në Prizren, në mënyrë të ngjashme na rikthehen sërish me deklarata të Prokurorisë Speciale, pa kurrfarë nevoje për këtë nxitim”.

“Kujt i kontribuon një manipulim i tillë, ku publikohen konkludime të pjesshme? Si munden organet e drejtësisë të jenë kaq tendencioze dhe selektive, veçmas një organ siç është prokuroria, e cila nuk guxon t’i shpërfillë asnjë nga hetimet që bëhen për asnjë rast të caktuar. Astrit Dehari ka vdekur në duart e shtetit. Papërgjegjësia e organeve të shtetit ka prodhuar edhe këtë situatë të kobshme. Papërgjegjësia e sërishme e organeve, këtë rast e Prokurorisë Speciale, tenton të vrasë zbardhjen e drejtësisë”, ka thënë MD-ja. “Përkundër pengesave që kanë vendosur, individë apo grupe të ndryshme, të cilët tentojnë ende që të pamundësojnë zbardhjen e rastit Dehari, ato nuk mund ta sfidojnë në tërësi drejtësinë”.

Pas akuzave ndaj Prokurorisë Speciale, MD-ja ka thënë se brenda kompetencave që i ka “do të ndërmarrë çdo hap, çdo veprim për të forcuar në njërën anë sistemin e drejtësisë dhe do t'i përgjigjemi secilës kërkesë për drejtësinë e plotë për Astrit Deharin”.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, është gjetur i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, bashkë me disa aktivistë të tjerë.