Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Prokuroria Speciale e Kosovës po tenton ta manipulojë opinionin publik për rastin e Astrit Deharit.
Haxhiu ka thënë në “Java Sonte me Rronin” të mërkurën në KTV, se për raportin e dytë për këtë rast, Instituti zviceran ka marrë prova nga Prokuroria e Kosovës, të cilat sipas saj, kanë qenë të dëmtuara dhe se për këtë arsye shtoi ajo, ky institut e ka pasur të vështirë të gjejë ADN-në e dikujt tjetër në gjërat që kishte pasur afër Dehari në momentin tragjik.
“Raporti i parë i Institutit kishte përmendur përfshirjen e një personi të tretë, ndërkaq në raportin e dytë, të gjitha provat që i ka marrë ky Institut nga prokuroria, thuhet se janë dëmtuar provat përmes mbështjelljes së tyre. Instituti thotë se ka qenë shumë e vështirë që t’u gjenden ADN-ja apo t’u bëhet provat këtyre analizave”, ka thënë Haxhiu.
Ministrja Haxhiu ka shprehur zhgënjimin që Prokuroria ka dalë me komunikatë për media për raportin e Institutit zviceran, ende pa iu dorëzuar ai familjes Dehari.
Haxhiu po ashtu ka thënë se pika e fundit e konkluzioneve të këtij raporti të cilin e posedon edhe Ministria e Drejtësisë, thotë se prova kryesore për të ardhur deri te e vërteta është trupi, i cili nuk është ekzaminuar.
Edhe
Haxhiu dëshmon në rastin “Dehari”: Prokurori të mos e pengojë drejtësinë
“Pika e fundit në konkluzion thotë se në fakt prova kryesore për të ardhur deri te e vërteta është trupi dhe se nuk është përdorur fare. Si ka mundësi që nuk janë bërë ekzaminimet dhe analizat e duhura trupit. Pika e fundit e konkluzioneve thuhet se është e vetmja mundësi për të ardhur deri te e vërteta dhe nuk është përdorur aq sa duhet si provë”, është shprehur ajo.
Haxhiu ka shtuar se nëse Prokuroria Speciale e konsideron veten të paaftë që ta hetojë këtë rast, ajo duhet të kërkojë ndihmë nga hetues të specializuar.
Prokuroria Speciale Kosovës, ka njoftuar të martën se më 1 prill ka pranuar raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit.
Sipas njoftimit dërguar mediave, raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë për rastin e Astrit Deharit, konstaton se “analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me Deharin, në momente të afërta me vdekjen (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali) nuk kanë treguar profil të ADN-së për veç të atij, Astrit Dehari”.
Edhe
Prokurori Shefkiu kërkon intervistimin e ministres Haxhiu rreth rastit “Dehari”
Gjithashtu në raport, sipas Prokurorisë Speciale, thuhet se analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Deharit, kanë treguar prani të kafeines e jo të etanolit.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, është gjetur i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, bashkë me disa aktivistë të tjerë.