Arbëri

ZRRE-ja do të apelojë pezullimin e tarifave të reja nga Themelorja

ZRRE-ja do të apelojë pezullimin e tarifave të reja nga Themelorja

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) do të parashtrojë ankesë pranë Gjykatës së Apelit, pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës për pezullimin e përkohshëm të tarifave të reja të energjisë elektrike, që ishin vendosur në shkurt.

Në një përgjigje për KOHËN të martën, ZRRE-ja ka thënë se nuk e ka pranuar ende aktvendimin e Themelores, duke shtuar se derisa ankesa do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit, ajo nuk bëhet e formës së prerë.

“ZRRE ju njofton se mbështetur në dispozitat ligjore të nenit 23 par. 2 Nenin 49 par. 1 dhe 2 lidhur me Nenin 63 të LKA-së, lidhur me Nenin 176 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (Ligjin Nr. 03/L - 006) do të parashtrojmë ankesë brenda afatit ligjor pranë Gjykatës së Apelit. Për informimin tuaj sipas Nenit 176 par. 2 të LPK-së, definohet se: Ankimi i bërë brenda afatit të përcaktuar me ligj pengon që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë në pjesën e goditur me ankim. Përderisa kjo çështje pas ankesës së ZRRE-së, do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit, aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm. Kjo është e definuar me Nenin 66 të Ligjit për Konfliktet Administrative ku përcaktohet se : “Vendimet e gjykatës mund të ekzekutohet atëherë kur bëhen të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të premten që të pezullojë përkohësisht ekzekutimin e vendimit të ZRRE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Pas padisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), gjyqtari i rastit ka vendosur që të shtyjë ekzekutimin e vendimit të ZRRE-së për shtrenjtim të energjisë deri në një vendim përfundimtar.

Partia Demokratike e Kosovës pretendon se ZRRE-ja, duke mos përfshirë në strukturën e re tarifore të pagesës së energjisë elektrike, katër komunat veriore, përveç diskriminimit mbi bazën e vendbanimit, ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në cenimin e parimit të sundimit të ligjit dhe shtrirjes së sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të shtetit.