Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, deklaroi të martën se Lëvizja Vetëvendosje ka emëruar militantë të saj në të gjitha bordet, e sipas saj, qytetarët nuk po e paguajnë vetëm çmimin e paaftësisë, por edhe çmimin e mashtrimit.
“Rasti i fundit është ku aplikuan 4.668 persona (në KEK v.j) e u punësuan 128 militantë e të afërm të VV-së. Kërkojmë që një trend si ky të ndërpritet. LDK-ja kërkon që ky konkurs të anulohet menjëherë. Shkarkim dhe suspendim i të gjithë zyrtarëve në KEK. Ftojmë prokurorinë që të hetojë”, tha Halimi të martën në një konferencë për media.
Halimi deklaroi se institucionet publike janë kapur nga partia në pushtet.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) deklaroi nëpërmjet një sqarimi se për 150 vendet e lira, kanë aplikuar 4.668 persona, e janë zgjedhur 128.
“Ndërsa për 17 pozita ende të paplotësuara vazhdon procedura e rekrutimit si dhe për 5 pozita për të cilat nuk kemi pasur kandidat të suksesshëm, do të rishpallen në një të ardhme të afërt”, thuhet në komunikatën e KEK-ut të bërë të martën.