Autoritetet e Kosovës nuk kanë shqiptuar asnjë masë ndaj eprorëve serbë të Policisë së Kosovës në veri, për pjesëmarrjen e tyre në Këshillin e Sigurisë të Serbisë.
Për këtë, deputetët i kanë kërkuar llogari drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Samedin Mehmeti, gjatë raportimit të tij në Komisionin parlamentar për Siguri.
Mehmeti pranoi se me veprimin e tyre, policët kishin kryer vepër penale.
“Ne kemi vlerësuar që ata kanë shkuar dhe sipas nesh kanë bërë vepër penale, ose dyshohet se kanë bërë vepër penale. Për këtë arsye edhe i kemi dërguar në Inspektorat. Jemi duke pritur se cilat do të jenë masat që i ka ndërmarrë Inspektorati ose do t’i ndërmarrë”, ka sqaruar ai.
Për veprim të njëjtë sikur të këtyre eprorëve policorë, Këshilli Gjyqësor ka suspenduar kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, masë që ka nxitur bojkot të punës nga shumë zyrtarë serbë, veçmas në veri të vendit.
Edhe Dioptria negative e BE-sëEdhe një çështje që lidhet me veriun është bërë shkak për polemikë. U kualifikua si e pavërtetë informata se njësitë speciale kishin shkelur për herë të parë në veri shtatorin e vjetëm, gjatë aksionit për reciprocitetin për targa.
“Kur ju ka pritur kryeministri Kurti në takim juve dhe udhëheqësit e njësive speciale, i keni thënë kryeministrit është hera e parë, urime, që këmba e njësive speciale po shkel në veri, që është e pavërtetë e madhe”, u shpreh deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.
“Të jeni të sigurt të gjithë ju, jo vetëm ju zoti Qalaj, se unë asnjëherë nuk kam thënë që këmba e policit të Kosovës nuk ka shkelur në veri, se ajo do të ishte gënjeshtër e madhe”, është përgjigjur Mehmeti.
Në këtë mbledhje Komisioni, nga deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, drejtori i policisë u pyet edhe për arrestimin e 50 policëve kufitarë për korrupsion.
“Disa i kanë ngarkuar me atë që nuk e kanë bërë pa fakte, pa asgjë. Kam dëshirë ta di, se i kanë koritur këta njerëz, kush e ka nisur këtë operacion, a kanë pasur argumente a kanë pasur prova të mjaftueshme, qysh arrestohen 50 policë bre vëlla?”, ka pyetur Berisha.
“Këto hetime janë zhvilluar ekskluzivisht prej IPK-së dhe besoj IPK-ja mundet me ju dhënë informacione, a janë arrestuar për 20 euro a 20 mijë, apo për çka i kanë arrestuar e di IPK-ja, e di prokurori, e jo na”, është përgjigjur drejtori i Policisë.
Për pyetjet dhe kritikat ndaj Mehmetit, deputeti i pushtetit, Enver Dugolli, akuzoi opozitën se po bënin politikë me policinë. Por, mori kundërpërgjigje.
“A bëhet politikë në Parlamentin e Kosovës, nuk ma merr mendja, këtu nuk është vendi për t’u bërë politikë, politika duhet të bëhet në ara”, ishte përgjigja e Berishës së AAK-së.
Edhe
Çollaku: Do të ishte mirë të mos refuzohet kthimi i prokurorëve në veri, pasi të verifikohen
Si ish-drejtor i Policisë, Qalaj këshilloi Mehmetin që të rrijë larg politikës.
Vetë Qalaj, i cili e dha këtë këshillë, me të dalë nga policia i ishte bashkuar politikës, duke aderuar në PDK.