Arbëri

Edhe ambasadori britanik i zhgënjyer që nuk u miratua Projektkodi Civil

Ambasadori i Britanisë në Kosovë, Nicholas Abbott, ka shprehur zhgënjimin e tij për mosmiratimin e Projektkodit Civil në seancën e së mërkurës në Kuvend.

Abbott përmes Twitterit ka shkruar se është e rëndësishme të respektohen të drejtat e njeriut, përfshirë edhe të atyre LGBTI+.

“Shumë i zhgënjyer që Kodi Civil nuk u miratua dje. Është e rëndësishme që gjuha, në Kod dhe në debat, të respektojë të drejtat e njeriut të të gjithë kosovarëve, përfshirë LGBTI+, në përputhje me Kushtetutën”, ka shkruar Abbott në Twitter.

Për mosmiratimin e Projektkodit Civil, reagoi dje edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Projektkodi Civil dështoi të miratohej në seancën e djeshme të Kuvendit, pasi mori vetëm 28 vota pro, katër abstenime e 29 kundër. Në këtë Projektkod përfshihet edhe bashkësia civile mes gjinive të njëjta.