1 perditesime
11:25

Kurti: Gratë edhe në luftë edhe në paqe e kanë barrën e dyfishtë

Në Javën e Gruas, kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se gratë edhe në luftë edhe në paqe, e kanë barrën e dyfishtë.

Sipas tij, shoqëritë iu afrohen autokracive kur gratë janë të përjashtuara nga demokracia.

“Gratë edhe në luftë edhe në paqe e kanë barrën e dyfishtë. Po përpiqemi që brenda Lëvizjes ta forcojmë solidaritetin mes grave. E dimë që burrat e moshës së mesme janë me shumicë në politikë, mirëpo gratë dhe rinia e përbëjnë shumicën e popullsisë”, deklaroi Kurti.

10:48

Osmani në Javën e Gruas: Statusi i gruas në shoqëri tregon statusin e demokracisë

Presidentja Vjosa Osmani, deklaroi se Kosova dhe populli ende i ka të freskëta kujtimet e luftës, derisa këtë e krahasoi edhe me luftën që po bëhet në Ukrainë.

Duke folur për gratë, Osmani tha se kur përjashtohet gjysma e njerëzimit nga gjenerimi i ideve dhe vendimeve, humbet rasti për një shoqëri dhe demokraci me potencial transformues.

“Kosova dhe populli ynë i ka ende të freskëta kujtimet e luftës dhe sot zemrat tona rrahin fort përballë ekraneve televizive e telefonave gjersa shohim imazhet që vinë nga qytete e vende të ndryshme të Ukrainës”, deklaroi ajo në Javën e Gruas.

Sipas Osmanit, statusi i gruas në shoqëri e tregon statusin e demokracinë, duke cituar zëvendëspresidenten e SHBA-së, Kamala Harris.

“Vetëm një demokraci gjithëpërfshirëse është demokraci e qëndrueshme”.

Duke folur në këtë organizim për barazinë gjinore, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se është shënjues i progresit dhe se tregon sa larg është ecur përpara.

“Gratë vazhdojnë të jenë të jenë të nënpërfaqësuara në kryesi të partive dhe në media”.

Në anën tjetër, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se kanë pasur numrin më të madh të grave kandidate për kryetarë të komunave, derisa lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, theksoi se kuota ka prodhuar rezultate të mira.

“Ka një vetëdijësim të vetë partive politike, gjë që është shumë e rëndësishme. Partitë e kanë të qartë, gratë janë të zgjedhshme”, tha Abdixhiku.

Tutje, Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, tha se gruaja nuk duhet të jetë ajo që i kryen detyrat e shtëpisë, pasi sipas saj, ato duhet të ndahen në mënyrë të barabartë.

“Gratë duhet të jenë një faktor më i madh aty ku merren vendimet”.

Ndërsa, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se Kosova ka shumë sfida, e një nga to është të drejtat e grave.

“Kosova ka shumë sfida edhe të drejtat e pozita e gruas është një nga to, por për fat nuk kemi qenë të vetëm. Femra nuk interesohet vetëm për femrat, por për çështjet e vendit të vet”, tha Haradinaj.