Arbëri

Kusari-Lila: Serbia mund të mbajë zgjedhje në Kosovë me kërkesë zyrtare dhe sipas ligjeve tona

Descriptive Text

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se zgjedhjet e Serbisë në Kosovë mund të mbahen vetëm nëse Serbia bën kërkesë për mbajtjen e tyre bazuar në ligjet e aplikueshme të Kosovës dhe në praktikat evropiane.

Në konferencën për media të mbajtur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Kusari-Lila deklaroi se Kosova deri më tani nuk ka marrë asnjë kërkesë nga Serbia për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Përgjigja e institucioneve të Republikës së Kosovës tashmë e konfirmuar nga legjislativi është se vetëm në një pranim të kërkesës zyrtare nga shteti i Serbisë drejtuar shtetit të Kosovës me kërkesë bazuar në ligjet e aplikueshme të Kosovës dhe në praktikat evropiane, do të shqyrtohej ajo kërkesë dhe do të merrej vendimi pro apo kundër mbajtjes së zgjedhjeve. Deri në këtë moment nuk kemi marrë ndonjë kërkesë nga Serbia për mbajtje të zgjedhjeve”, ka thënë ajo.

Duke mos treguar se si mund të mbahen këto zgjedhje brenda Kosovës, Kusari-Lila tha se edhe në Strasburg kanë kërkuar që votimi të bëhet me praktikat e aplikueshme që nënkupton se kjo mund të miratohet vetëm me kërkesën zyrtare nga një shtet në shtetin tjetër.


Kusari-Lila: Nesër seancë e jashtëzakonshme për rritjen e çmimeve

Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka njoftuar se të martën e 15 marsit do të mbahet seancë e jashtëzakonshme për rritjen e çmimeve dhe situatës aktuale të krijuar në vend.

Kjo seancë do të fillojë nga ora 11:00, ndërsa një tjetër seancë plenare pritet të fillojë vetëm një ditë më pas, e cila mbahet për trajtimin e pikave të pambyllura në seancat e mëhershme.

“Gjatë mbledhjes së sotme ka pasur një kërkesë të Grupeve Parlamentare të opozitës që do të mbahet nesër prej orës 11:00 për rritjen e çmimeve dhe situatën aktuale të krijuar, ndërsa seanca e radhës do të mbahet ditën e mërkurë përfshirë vazhdimin e trajtimit të pikave të pambyllura të seancave të mëhershme, pastaj për seancë të re të rregullt mbetet të shihet në seancën e radhës të Kryesisë, qoftë nesër apo ditët tjera në vazhdim, pra gjatë kësaj jave do të mbahen dy seanca, nesër seancë e jashtëzakonshme dhe pasnesër seancë për pikat e pambyllura”, ka thënë Kusari-Lila.