Arbëri

Dialogu nën hije, Serbia vazhdon të denoncohet për qasje destabilizuese

Pavarësisht takimeve mes liderëve të shtetit dhe zyrtarëve evropianë në kuadër të margjinave të samiteve ndërkombëtare, dialogu Kosovë-Serbi ka mbetur nën hijen e luftës në Ukrainë. Analistët thonë se ndryshimi i rrethanave gjeopolitike imponon edhe ndryshim të dinamikës së dialogut, që deri tash ka ngecur rreth çështjeve teknike

Prishtinë, 13 mars - Kërkesa e Qeverisë për shtim të vëmendjes mbi Ballkanin Perëndimor duhet të shoqërohet edhe me ndryshim të qasjes së Bashkimit Evropian në raport me vendet që kanë potencial destabilizimi. Kështu thonë njohës të rrethanave që vlerësojnë se lufta në Ukrainë do të ndryshojë edhe dinamikën në raportet Kosovë-Serbi.

Për tri ditë në Antalia të Turqisë u mbajt Forumi i Diplomacisë, ku temë qendrore ishin agresioni rus mbi Ukrainë dhe situata e sigurisë në Evropë. Pjesëmarrës ishin edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e kryeministri Albin Kurti, të cilët diskutuan edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Kryeministri Kurti i ka kërkuar përfaqësuesit të lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, më shumë vëmendje në Ballkanin Perëndimor, për të mos e injoruar luftën hibride që po bëhet në rajon.

“Ne kemi një luftë në Evropë. Sanksionet kundër Rusisë janë minimumi që mund të bëjmë. Kërkova nga Borrelli më shumë vëmendje në Ballkanin Perëndimor dhe për të mos injoruar ndërhyrjet ruse dhe luftën hibride në rajonin tonë”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Me gjithë vullnetin e shprehur Qeverisë për t’iu rikthyer takimeve në Bruksel në nivel politik, ende nuk ka një datë se kur mund të ndodhë ai. Ndërkaq pa ndonjë rezultat përfundoi takimi i fundit mes grupeve teknike ku u diskutua çështja e targave të Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Analisti Dritëro Arifi thotë se dialogu ka mbetur nën hijen e luftës në Ukrainë.

“Gjithsesi, dialogu nuk është as në fokus të Bashkimit Evropian, por as të SHBA-së, pavarësisht deklaratave politike, sepse tani jemi në situatën kur është suspenduar e drejta ndërkombëtare. Këshilli i Sigurimit, pikërisht ku Rusia është anëtare e përhershme, tani është suspenduar. Pra, ka një kaos në të drejtën ndërkombëtare ku një shtet anëtar i OKB-së e pushton një shtet tjetër anëtar”, ka thënë Arifi për KOHËN. “Dialogu do të jetë nën hije deri në përfundim të luftës dhe mandej një dialog eventual mes palëve në konflikt. Por dialogu Kosovë-Serbi duhet të ndryshojë që të mos kemi dialog teknik. Para dy ditëve z. Lajçak e pati një deklaratë që nxiti reagime nga diplomatët me influencë në SHBA, e që shprehën habi për këtë joseriozitet të BE-së karshi dialogut dhe gjendjes në Ukrainë”.

Liderët e shtetit kanë vazhduar me lobimin për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në mekanizma të tjerë që krijojnë mburojë për shmangien e rreziqeve nga një konflikt i mundshëm në Ballkan. Po ashtu, është denoncuar edhe Serbia për veprimet e saj destruktive dhe për tendencat për destabilizim.

“BE-ja dhe NATO-ja e dinë se Kosova ka qenë, është dhe do të jetë përkrah botës perëndimore e rreshtuar krah Perëndimit. Sa mund ta denoncojmë ne Serbinë është çështje sekondare, sepse dhe vetë Bashkimi Evropian dhe plot vende anëtare të NATO-s e dinë prej kohësh se çfarë rreshtimi ka bërë Serbia. Gjithsesi edhe në rastin konkret, pra luftën Rusi-Ukrainë, Serbia ka një anim politik, megjithëse proklamohet se është neutrale”, ka thënë Arifi.

Sipas presidentit serb Vuçiq, kërkesa e Kosovës për aderim në NATO dhe paralajmërimet për cenim të sigurisë e kanë vënë Serbinë në pozitë të vështirë. Megjithatë, ai pretendon se ka ofruar garanci për ndërkombëtarët se shteti që udhëheq do të kujdeset për ruajtjen e paqes në Ballkan.

“Çfarë tjetër po bëjnë zyrtarët shqiptarë në Kosovë? Asgjë, pos asaj që shkruajnë çdo ditë – ‘Vuçiqi (Putini i vogël) do ta sulmojë Kosovën. Shikoni, Serbia nuk ka vendosur të gjitha sanksionet ndaj Rusisë. Po, ata votuan se Rusia e ka sulmuar Ukrainën, që është e dukshme, por nuk kanë vendosur të gjitha sanksionet. Ata me metoda hibride po i shkatërrojnë shqiptarët në Kosovë, po shkatërrojnë demokracinë dhe NATO-n’”, ka cituar Vuçiqi zyrtarët shqiptarë.

Ai ka përsëritur se Rusia mund të përjashtohet nga OKB-ja dhe se nuk e ka shpikur vetë këtë, porse i ka parë në raporte.

“Shikoni, e përjashtuan Rusinë nga Këshilli i Evropës, është vetëm fillimi, prisni të shihni vazhdimin. E këtu duhet të shikojmë pozicionin e Serbisë që aktualisht është shumë i vështirë. Nuk e kam shpikur historinë e përjashtimit të Rusisë nga OKB-ja. Nuk e kam shpikur historinë e NATO-s dhe të Kosovës”, ka theksuar presidenti serb.

Fqinji verior nuk u rreshtua krah Perëndimit në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, megjithëse votoi pro rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënon agresionin e Putinit në Ukrainë.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se pret nga Serbia, si një shtet që pretendon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, të dënojë pushtimin e Rusisë në Ukrainë.

Ajo ka shprehur shqetësimin e saj të dielën se si mediat në Serbi po bëhen pjesë e fushatës dezinformuese nga Rusia.

“Fushatat e dezinformimit nga Rusia fluturojnë lehtësisht në tabloidet serbe. Si një kandidate e BE-së pres që udhëheqja në Serbi ta dënojë luftën brutale të Rusisë në Ukrainë dhe të përafrohet me sanksionet e BE-së. Ky është minimumi që ne kërkojmë”, ka shkruar Von Cramon.

Reagimin e bëri duke shpërndarë në llogarinë e saj një postim të shefit të Fondacionit të Sfidave të Mileniumit (MCC) në Kosovë, Petrit Selimi, i cili ka publikuar faqen e parë të gazetës serbe “Novosti”, në të cilën thuhet se “Ushtria e Ukrainës po i vret njerëzit e tyre në Mariopol”.

Ndërkaq nëntë deputetë të Parlamentit Evropian nga grupi liberal “Renew Europe” u kanë dërguar letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, me thirrjen për t’i ngrirë përkohësisht negociatat me Serbinë dhe ta ndalin ndihmën financiare derisa të harmonizojë qëndrimin me BE-në karshi Rusisë.

“Kjo të paktën është çështja më morale dhe parimore që mund ta bëjë Komisioni Evropian”, ka thënë Arifi.