Krenare Sogojeva - Dërmaku, komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP) tha se gjatë vitit 2021 ka pasur rreth 140 ankesa, kurse këtë vit numri i tyre është më i madh, ku ka rreth 73 deri tani.
“AIP gjatë vitit 2021 ka pasur rreth 140 ankesa që janë mbyllur pa u shqiptuar masë sanksionuese ndaj institucioneve, çka do të thotë se institucionet publike kanë reflektuar që në shkresën e parë apo me nxjerrjen e vendimit detyrues që i ka detyruar ato të japin qasje, ashtu siç edhe kërkohet me Ligjin për qasje në dokumentet publike”, tha Sogojeva-Dërmaku në emisionin “Tempus” në KTV.
Kurse, për vitin 2022, tha se është shqiptuar një gjobë, për shkak të mohimit të qasjes në dokumente publike, apo tejkalimit të afatit kur institucionet janë të obliguara të japin këtë qasje.
“Në vitin 2022 kemi dukshëm numër më të madh të ankesave në tek qasja në dokumente publike, ky numër është diku 73, prej tyre 51 janë të mbyllura, kurse 22 janë në proces. Më 2022 kemi shqiptuar vetëm një gjobë për shkak të mohimit të qasjes në dokumente publike dhe për tejkalimin e afateve që institucionet janë të obliguara sipas ligjit të japin këtë qasje”, shtoi ajo.
Sogojeva-Dërmaku theksoi se AIP është funksionalizuar tash e tetë muaj dhe se janë fokusuar rreth qasjes në dokumente publike, pa u lëshuar në inspektime të rregullta.
“Agjencia për Informim dhe Privatësi është funksionalizuar tash e tetë muaj dhe ne kemi punuar me një plan të aktivitetit, të veprimit, prej korrikut të vitit 2021 deri në dhjetor. Puna jonë kryesisht ka qenë e fokusuar rreth qasjes në dokumente publike, por edhe në monitorimin e zbatimit të Ligjit për mbrojtjen e të dhënave, e që në fakt ne kemi vepruar vetëm mbi bazën e ankesave, pa u lëshuar në inspektime të rregullta, për shkak të përgatitjes profesionale të ekipit të inspektorëve për monitorimin e zbatimit të Ligjit për mbrojtjen e të dhënave”, tha ajo.