421 ankesa për mohim të qasjes në dokumente publike janë deponuar vitin e kaluar në Agjencinë për Informim dhe Privatësi. Nga to, 135 kanë qenë për dikasteret qeveritare. Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje, komisionerja e Agjencisë, Krenare Sogojeva, është pyetur nëse vendimet e saj janë të ndikuara nga partia në pushtet.
Qytetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat kanë adresuar gjatë vitit të kaluar gjithsej 421 ankesa në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, për shkak të moslejimit të qasjes në dokumente publike.
Komisionerja e Agjencisë, Krenare Sogojeva, e bëri të ditur këtë informatë gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri, ku theksoi se 135 ankesa janë parashtruar ndaj dikastereve qeveritare, 121 ndaj komunave dhe 165 ndaj institucioneve të tjera. Ajo tregoi se, nga të gjitha ankesat, vetëm tetë kanë përfunduar me vendime me gjobë.
“Gjobat kundërvajtëse të shqiptuara kanë arritur vlerën totale prej 169 mije euro”, tha Sogojeva.
Për një vit, në Agjenci janë dorëzuar edhe 145 ankesa lidhur me përpunimin e të dhënave personale, 50 nga të cilat kanë qenë për keqpërdorim të këtyre të dhënave.
Në Komision, komisionerja Sogojeva arsyetoi gjobën prej 20 mijë eurosh ndaj Partisë Socialdemokrate, pas publikimit të të dhënave të pjesëmarrësve në peticionin kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Përveçse janë bërë publike këto të dhëna, gjatë inspektimit Agjencia ka gjetur se kjo parti nuk ka ekzistuar në kohën kur janë bërë këto lista, që do të thotë se ka shkelur edhe njërën prej parimeve themelore të ligjit për të dhënat personale. Pra, nuk ka pasur të drejtë as t’i mbajnë ato lista, prandaj edhe kjo parti është dënuar sipas ligjit në fuqi”, tha Sogojeva.
Kryesuesi i Komisionit, Bekë Berisha, kërkoi gjobitjen e mediave që kanë shpërndarë listat e veteranëve të UÇK-së, por Sogojeva iu kundërpërgjigj duke thënë se ato paraprakisht janë publikuar nga uebfaqen e komisionit qeveritar, që vetë i ka prodhuar.
Në komision pati një polemikë, pasi Berisha pyeti Sogojevën se a ka presion nga partia në pushtet.
Deputetët kërkuan nga përfaqësues të Agjencisë që të lansojnë fushata vetëdijesuese, nëpërmjet të cilave do të informoheshin qytetarët se ku mund të ankohen kur institucionet nuk u kthejnë përgjigje apo nuk u lejojnë qasje në dokumente publike.