Arbëri

Nesër marshohet kundër vrasjes së grave

Dita e Gruas nga grupi organizativ Marshojmë S’festojmë, do të pritet më ndryshe se vitet e kaluara.

Nesër nga ora 10:00 do të marshohet për të kundërshtuar dhunën e burrave ndaj grave, e që në fund ato edhe vriten. Sipas kësaj organizate fajtorët kryesorë janë prokuroria dhe gjykatat.

E që ky marsh i kësaj organizate do të bëhet edhe në qytete të tjera përveç Prishtinës, si në Obiliq, Mirtrovicë, Pejë, Rahovec, dhe Gjilan

Aktivistja e kësaj organizate, Elena Morina, tha se 8 marsi do të jetë më ndryshe, kjo pasi që gratë po vriten dhe nuk po u lihet hapësirë për të festuar.

"8 Marsin e sivjetmë, kolektivi ‘Marshojmë S’festojmë’ do ta manifestojë me marsh kundër vrasjes së grave. Ky marsh vjen si nevojë e domosdoshmërisë për t’iu përgjigjur patriarkalitetit të dhunshëm i cili përveç që i dhunon vazhdimisht gratë, ua merr në fund edhe jetën. Edhe këtë 8 mars, neve na pamundësohet festa. Kjo pasi që pasiguria e thellë në të cilën ne si vajza e gra jetojmë, pa barazia ekonomike, shoqërore dhe politike nuk na lë hapësirë për të gëzuar ose festuar”, tha ajo

Ajo përmend edhe qëllimin e këtij mardhi, ku thotë se përveç vrasjes së grave do të jetë marsh solidarizimi me shtetin ukrainas.

“Andaj, edhe këtë 8 Mars ne po organizohemi që të protestojmë kundër shtypjes së vajzave e grave në Kosovë. Organizohemi sepse e kundërshtojmë padrejtësinë dhe pabarazinë e shumëfishtë, dhe bëjmë thirrje për një të ardhme më të mirë ku secili dhe secila është i lirë. Përveç denoncimit të dhunës dhe vrasjes së grave dhe kërkesave për drejtësi, ky marsh do të jetë marsh solidarizimi me Ukrainën. Kjo pasi që ne nuk e shohim të shkëputur kauzën gjinore nga kauzat e tjera dhe ne si grup jemi kundër çdo padrejtësie, kurdo që ajo të ndodhë”, tha ajo

Po ashtu, Morina thotë se marshi do të fillojë nga Pallati i Drejtësisë, kjo pasi që, siç thotë ajo gjykata dhe prokuroria janë fajtore për vrasjen e këtyre grave.

”Këtë vit, marshi ynë nis nga Pallati i Drejtësisë pasi që janë pikërisht gjykatat, prokuroria dhe mbrojtësit e viktimave, një nga shkaktarët kryesorë që kanë rezultuar që nga viti 2010,48 gra të vriten nga burrat në Kosovë”, potencoi ajo.

Në Prishtinë ky grup organizativ marshin do ta fillojnë nga Pallati i Drejtësisë në Hajvali, më pas te rrethi i flamurit, në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke vazhduar kështu deri te Qeveria e Kosovës./KSP