Arbëri

SHBA-ja s’përkrah Asociacion që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës

Descriptive Text

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkrahin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por jo që ai të jetë i ngjashëm me Republikën Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, apo që minon sovranitetin dhe funksionalitetin e institucioneve të Kosovës, ka thënë të martën para senatorëve i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në fjalimin e tij para Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan, Escobar ka thënë se Kosova duhet të shohë modele se si mund të duket një Asociacion që s’do të minonte sovranitetin e saj.

“Ne e përkrahim formimin e Asociacionit për shumë arsye. E para është arritur marrëveshje. Gjykata Kushtetuese i ka shpallur disa pika si jokushtetuese, por s’ka thënë se Asociacioni në vete është jokushtetues. Në dialog, u takon Kosovës dhe Sebrisë të caktojnë se si do të duket. S’duhet dhe nuk duam që të jetë e ngjashme me Republikën Sërpska. Por kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës të shohë modele se si ata besojnë se mund të duket e që s’do të minonte sovranitetin apo funksionalitetin, si mënyrë për t’i lejuar serbët të vazhdojnë të kenë mirëqenie, benefite më të mëdha e edukim në gjuhën serbe”, ka thënë ai duke shtuar se një Asociacion i tillë do të shtonte përforconte Qeverinë e Kosovës dhe sovranitetin e vendit.

“Qëllimi i dialogut është që gjithçka të lëvizet në drejtim të Kosovës, të jem i sinqertë, që të ketë përfundim me njohje të ndërsjellë e normalizim raportesh, diçka që s’e kanë. Jo vetëm status, por njohje se janë shtet i pavarur dhe sovran. Dialogu është mekanizmi dhe e ka dëshmuar se është ai që mund të heqë dallimet”, ka shtuar Escobar që i është përgjigjur senatorit Bob Menendez që u shpreh i shqetësuar për presionet mbi Kosovën në vend të Serbisë.