Arbëri

Labinot Gruda e pranon fajësinë për rastin e 2,1 milionë eurove

Njëri prej të pandehurve në rastin e dyshuar të vjedhjes së 2,1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, në tetor të vitit 2020, Labinot Gruda, e ka pranuar fajësinë për të gjitha pikat për të cilat akuzohet, në seancën e radhës gjyqësore që po zhvillohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Pas pranimit të fajësisë nga ana e tij, avokati i të pandehurit tjetër për këtë rast, Kadri Shala, Floren Latifi, ka kërkuar që seanca të shtyhet.

Latifi ka thënë qe nuk e ka pritur këtë gjendje andaj i duhet më shumë kohë të konsultohet me klientin. 

Ndërkohë, avokati Tahir Rrecaj ka thënë që aktakuza është e ngritur në prova të mjaftueshme dhe se jo vetëm ai por asnjë avokat nuk do të mund ta rrezojë poshtë aktakuzën.

Pas këshillimit dhe pranimit të fajësisë nga Labinot Gruda, trupi gjykues mori aktvendim për pranimin e fajësisë.

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, ka thënë se sa i përket pikës së katërt të aktakuzës, trupi gjykues nuk do të marrë vendim deri në deklarim të akuzuarit tjetër, Kadri Shala për shkak që është në bashkëkryerje.

Aktakuza ndaj Labinot Grudës dhe Kadri Shalës, të akuzuar për aferën e vjedhjes së mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit është konfirmuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, në dhjetor të vitit 2021.

Sipas aktakuzës, Kadri Shala, si person përgjegjës i kompanisë “LDA GROUP SHPK” i ka mundësuar Labinot Grudës, zyrtar në Ministrinë e Financave, që paratë nga Thesari i Shtetit në vlerë të 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove e 90 centë të transferohen në të njëjtën kompani në mënyrë të kundërligjshme.

Po ashtu, sipas aktakuzës Kadri Shala ka kryer veprën penale të ndihmës e cila është ndërlidhur me veprën tjetër penale atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Dy të pandehurit, Labinot Gruda dhe Kadri Shala, sipas aktakuzës, pas marrëveshjes dhe planifikimit paraprak në bashkëkryerje kanë bërë transferimin e parave nga Thesari i Shtetit në kompaninë e personit të autorizuar Kadri Shala “LDA GROUP SHPK”, ndërsa me qëllim të fshehjes së parave të transferuara në mënyrë të kundërligjshme, i ka ndarë rreth 2.1 milionë eurot në llogari të ndryshme bankare të personave fizik nën arsyetimin për blerje, huazim, avans, donacione e kryerje të borxheve.1 milion e 416 mijë e 413 euro e 64 centë Shala dyshohet se i ka transferuar në 26 kompani të ndryshme në Kosovë, ndërsa 440 mijë euro i njëjti person dyshohet se i ka transferuar në llogari bankare në Turqi nën arsyetimin për pagesë të blerjes së makinerisë së betonieres dhe pompës së betonit.


Labinot Grudës i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, e ka refuzuar propozimin e avokatit të Labinot Grudës, Tahir Rrecaj për zëvendësimin e masës se paraburgimit me arrest shtëpiak.

Grudës i është vazhduar paraburgimi edhe për 2 muaj.

Seanca ndaj tij dhe të akuzuarit tjetër për rastin e 2,1 milionë eurove të Thesarit, është ndërprerë dhe vazhdimi i saj do të bëhet më 28 shkurt.