Arbëri

Omicron po konsiderohet se sulmon më pak sistemin respirator

Descriptive Text

Omicron në Kosovë po vlerësohet si një nga variantet më të lehta të virusit SARS-COV-2, në raport me valët e mëparshme të infektimit.

MSH-ja njofton se gjatë të martës 6 persona kanë vdekur si pasojë e COVID-19 dhe janë regjistruar 2 mijë e 33 raste të reja pozitive me koronavirus.

Mirëpo për dallim të rritjes së rasteve pozitive, numri i atyre që kërkojnë hospitalizim është më i vogël.

Pulmologu Shpëtim Thaçi tregon se një nga faktorët që ka ndikuar në këtë situatë është se Omicron po sulmon më pak sistemin respirator.

“arseja është e thjeshtë sepse kemi një rënie të atakimit të sistemit respirator pra të indit pulmuar. Nëse krahasohet kjo valë me valën e kaluar kemi në këtë pikë pra që po konsiderohet që numri është jashtëzakonisht i madh i të infektuarëve. Pra është dikun afër 6 herë më i vogël numri i të hospitalizuarëve dhe kjo po ndikon jashtëzakonisht mirë në mosngarkimin e sisitemit shëndetësorë në kuadër të ShSKUK-së”, thotë Thaçi.


Thaçi ka njoftuar se në Klinikën e Pulmologjisë janë të shtrirë 65 pacientë, prej tyre 30 post-Covid dhe të tjerët me sëmundje malinje të mushkërive.

Në QKUK dhe spitalet rajonale janë duke u trajtuar 216 pacientë, 141 me oksigjeno-terapi dhe 5 në gjendje të rëndë.

Edhe internisti Driton Vela thekson se bazuar në shifra, në krahasim me valë të tjera, situata deri më tani është nën kontroll.

“Moshat më të atakuara janë ata të cilët nuk janë të vaksinuar domethënë moshat e reja. Ndërsa sa i përket testimeve nëse krahasojmë me periudhën paraprake kemi ngritje për nga numri i testimeve”, thotë Vela.

Ndërkohë, zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka njoftuar se mbi 80 shkolla po vijojnë mësimin online dhe se vetëm në Prishtinë janë mbi një mijë nxënës të infektuar.