Arbëri

Avokati i Popullit: Të rishqyrtohet masa e kufizimit të lëvizjes 22:00-5:00

Avokati i Popullit konsideron se Qeveria e Kosovës duhet ta rishqyrtojë masën e kufizimit të qarkullimit nga ora 22:00 deri në orë 5:00, duke shtuar se në vend të kësaj, do të ishte më e dobishme që të fuqizoheshin mekanizmat e kontrollit sanitar dhe inspektoratet.

“Avokati i Popullit përmes këtij opinioni shpreh qëndrimin e tij se Qeveria duhet të rishqyrtojë masën e kufizimit të qarkullimit nga ora 22:00 deri në orën 5:00, duke precizuar se në vend të kësaj do të ishte më e dobishme që të fuqizoheshin mekanizmat e kontrollit sanitar dhe inspektoratet, në mënyrë që të ushtrohen kontrolle më të shpeshta për të vlerësuar nëse janë duke u zbatuar masat e përgjithshme, tanimë të njohura”, thuhet në opinionin e Avokatit të Popullit lidhur me masat e fundit anti-COVID, të ndërmarra më 21 janar të këtij viti, si pasojë e rritjes së rasteve ditore me koronavirus.

Ky opinion po ashtu thekson se praktikat e vendeve të rajonit tregojnë se asnjëra prej tyre nuk kërkon nga qytetarët që hyjnë në territoret e tyre t’i kenë tri doza të vaksinës.

“Opinioni gjen se pjesa më e madhe e shteteve, që nga fillimi i pandemisë, në hyrje-dalje të kufijve të tyre i kanë pranuar testet “antigen”, të cilat janë më të shpejta dhe më të përballueshme për xhepin e qytetarëve. Ndërsa në pikat kufitare të Kosovës, qytetarëve u kërkohet testi RT-PCR, i cili është dyfish më i shtrenjtë dhe merr më shumë kohë për t’u përpunuar në laborator”, thuhet më tej në opinion.

Opinionin juridik të plotë mund ta gjeni KËTU