3 perditesime
14:49

Abdixhiku: Dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku sot është takuar me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak.

Siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media, Abdixhiku i njoftoi për qëndrimet e LDK-së karshi situatës politike, me theks të veçantë për procesin e dialogut, me ç’rast i bëri të ditur edhe njëherë që LDK-ja mbështet procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Kjo sipas tij, duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues te Kosovës.

“LDK mbetet partnere kredibile e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian në proceset e rëndësishme të vendit”, thuhet tutje në njoftimin e LDK-së.

13:07

Haradinaj për marrëveshjen me Serbinë: Njohje reciproke në kufijtë ekzistues

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se në takim me emisarin amerikan, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, u diskutua marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.

Haradinaj shkroi se epilog përfundimtar i marrëveshjes është njohja reciproke në kufijtë ekzistues, duke respektuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Kam ripërsëritur përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke në kufijtë ekzistues dhe respekton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, gjë që mund të arrihet vetëm me rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shkroi deputeti i AAK-së në Facebook.

Ai tha i ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian për angazhimin ndaj Kosovës.

12:30

Krasniqi pas takimit me Escobarin e Lajçakun: E mbështesim dialogun me njohje të ndërsjellë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka takuar sot në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, Përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi njoftoi se me Escobarin e Lajçakun kanë diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe për rolin e PDK-së karshi këtyre zhvillimeve si udhëheqëse e opozitës në vend.

"PDK mbështetë dialogun si mekanizëm për arritjen e marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron njohjen e ndërsjellë, pa cenuar sovranitetin shtetëror, intergritetin territorial dhe rendin kushtetues", shkruan Krasniqi.

10:04

Escobar e Lajçak takohen me kryetarët e PDK-së dhe LDK-së

Emisarët për dialog Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak kanë pritur në takim kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.

Takimi po mbahet në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë.

Ndërkaq nga ora 10:30, Escobar e Lajçak kanë pritur në takim edhe Lumir Abdixhikun e LDK-së.

Të njëjtit kanë ardhur të hënën në Kosovë ku janë takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.