Katër persona kanë vdekur si pasojë e Covidit gjatë 24 orëve të fundit e janë regjistruar 3 mijë e 617 raste të reja. E lartë vazhdon të jetë edhe shkalla e pozitivitetit me mbi 25 përqind. Në Klinikën Gjinekologjike, ku trajtohen nënat e reja apo shtatzënat me Covid, drejtori i saj ka bërë të ditur se numri më i madh i pacienteve që nga shfaqja e Omicronit janë të pavaksinuara.
Katër persona kanë vdekur nga COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, janë shënuar edhe 3.617 raste të reja, duke e ngritur në 31 mijë e 21 numrin e rasteve aktive.
Më shumë se një e katërta e personave të testuar kanë rezultuar pozitivë, apo 25.96 për qind, pozitivitet ky që vazhdon të jetë i lartë që nga përhapja e variantit Omicron.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i ka përsëritur thirrjet për vaksinim, mbajtje të maskave e distancës prej dy metrash, derisa ka thënë se virusi është gjithandej.
Me raste prin Prishtina, me mbi 700, ndërsa pasohet nga Lipjani e Peja me mbi 300.
157 pacientë me koronavirus janë të shtrirë nëpër spitale në nivel të Kosovës, ku numrin më të madh të tyre e ka Klinika Infektive me 78 pacientë dhe Spitali i Mitrovicës me 15 të shtruar.
Nëna të reja, e shtatzëna me COVID, vazhdimisht trajtohen në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike në Prishtinë.
“Nga 14 dhjetori kemi pasur 41 pacientë të hospitalizuar në KOGJ duke u trajtuar për COVID, nga to kanë lindur 17 paciente. Pjesa tjetër kanë ardhur në faza të ndryshme të shtatzënisë, janë trajtuar dhe janë liruar në shtëpi, kurse për momentin janë tetë. Pjesa dërmuese e këtyre pacienteve janë të pavaksinuara, 27 janë të pavaksinuara, një është me tri doza, gjashtë janë me dy doza dhe pjesa tjetër janë me nga një dozë. Domethënë pjesa dërmuese 80 për qind janë të pavaksinuara”, ka thënë ai.
Së fundi ka filluar përgatitja e Qendrës së Mjekësisë Sportive në rast të shtimit të numrit të pacientëve me COVID-19.