Arbëri

Grupi i qytetarëve protestues: PSD-ja po synon t’i konfuzojë qytetarët për protestën e nesërme

Descriptive Text

Grupi i qytetarëve të organizuar nën parullën “Asnji cent ma shumë” ka njoftuar të premten se nuk ka gisht në organizimin e protestës që pritet të mbahet të shtunën kundër shtrenjtimit të rrymës. Partia Socialdemokrate është organizatore, ndërsa qytetarët protestues kanë dalë me reagim duke e akuzuar këtë parti se po synon të shkaktojë konfuzion te qytetarët lidhur me organizimin e nesërm.

Sipas tyre, konfuzioni po shkaktohet pasi në fletushkat e shpërndara me informatat e protestës së thirrur nga PSD-ja, s’është vendosur logoja e partisë apo ndonjë shenjë tjetër që identifikon organizatorin.

Ky grup ka akuzuar PSD-në edhe për “sulme mediale ndaj aktivistëve” e “për fushatë të egër për ta deligjitimuar organizimin kolektiv për ta kundërshtuar rritjen e energjisë, duke shpifur dhe keqinformuar publikun”.

“Përveç propagandës mediale, PSD është angazhuar aktivisht në sabotimin e organizimit qytetarë rreth kauzës së mos-shtrejtimit të çmimit të energjisë, çka është duke na dëshmuar edhe një herë nevojën që kjo kauzë t'iu mbetet qytetarëve, e jo partive. Ne insistojmë që kjo kauzë, aq esenciale për të gjithë/a ne, duhet të mbetet kauzë qytetare. Çdo ndërhyrje nga partitë politike do ta dëmtojë këtë kauzë, duke e shndërruar atë në mjet të rritjes elektorale dhe pazareve politike”, thuhet në reagim të këtij grupi qytetar, që ka vazhduar se do të vazhdojë me protestat deri kur të arrihet fitorja kundër shtrenjtimit të rrymës.

PSD-ja do të organizojë protestë të shtunën me fillim nga ora 14:00, ndërsa grupi qytetar protestoi të mërkurën.

{gallery}