Arbëri

Studentët në UP detyrohen të mësojnë edhe me literaturë serbe

Mospërdorimi i literaturës bazë në Fakultetin e Shkencave Matematiko Natyrore të Universitetit të Prishtinës po i detyron studentët të mësojnë me literaturë në gjuhën serbe.

KOHA ka siguruar pamjet e disa librave në gjuhën serbe me anë të të cilave studentët pretendojnë se mësohet në drejtimin e Matematikës Financiare në kuadër të FSHMN-së.

Studentja Blerina Selmani, thotë se kjo po shkakton vështirësi te ta, sepse shumica dërrmuese nuk kanë njohuri të gjuhës serbe.

“Studentët janë të detyruar që të gjejnë literatura në gjuhë të huaja jo në gjuhën shqipe. Përderisa nuk ka në gjuhën shqipe, janë të gjitha në gjuhë të ndryshme, kryesisht kemi gjuhën angleze, gjuhën serbe e gjuhë të tjera. Është shumë vështirë, sepse nëse e përkthen në ‘google’ kontekstet nuk janë të njëjta siç janë në gjuhën përkatëse”, tha Selmani.

Në një përgjigje me shkrim për KOHËN, dekani i FSHMN-së, Idriz Vehapi, ka thënë se si dekanat nuk janë në dijeni se ekziston ky problem.

Sipas tij, Këshilli i Studentëve nuk ka paraqitur ndonjë shqetësim të kësaj natyre.

“Sa u përket shqetësimeve eventuale të studentëve lidhur me literaturën, më lejoni t’ju njoftoj se ne si dekanat i FShMN-së (deri në këtë moment), nuk na është drejtuar askush për një problem të tillë të mundshëm. Në këtë kontekst, është me rëndësi të theksojmë se ne si menaxhment i FShMN-së, mbajmë mbledhje periodike (javore) me shefat e departamenteve, ku diskutohet në mënyrë të detajuar për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me procesin mësimor dhe as në këto mbledhje nuk është adresuar asnjëherë një shqetësim i tillë”, ka thënë Vehapi.

Sipas tij, Këshilli i Studenteve (i cili është i përfaqësuar edhe në Këshillin e FShMN-së), nuk ka paraqitur ndonjë shqetësim të kësaj natyre.

“Sa i përket literaturës, profesorët, gjatë përpilimit të syllabusëve të lëndëve, specifikojnë literaturën bazë si dhe atë shtesë (në mënyrë obligative), me të cilën shërbehen studentët në përgatitjen e provimeve. Syllabusët e tillë prezantohen në javën e parë të fillimit të mbarëvajtjes së mësimit (ku studentët mund po ashtu të adresojnë/diskutojnë shqetësimet e tyre eventuale)”, tha ai.

Arbër Gashi, student në Universitetin e Prishtinës, ka përmendur disa lëndë ku sipas tij, shfrytëzohet literatura e gjuhës serbe.

Ai thotë se nuk janë kundër kësaj literature, porse sipas tij, ajo duhet të përkthehet në gjuhën shqipe.

“Në drejtimet posaçërisht në fakultetet si FSHMN, në Fakultetin Teknik dhe në Fakultetin e Mjekësisë ku literatura bazë në disa lëndë jepet në gjuhën serbe si p.sh. në fakultetin e Mjekësisë në lëndën e patofiziologjisë dhe në FSHMN në drejtimin e Matematikës një pjesë e literaturës bazë jepet në gjuhën serbe, po ashtu edhe në Fakultetin Teknik, në lëndën Mekanika e Dherave jepet në gjuhën serbe. Ne nuk jemi kundër literaturës serbe, por pse profesorët tanë nuk i përkthejnë ato”, ka thënë Gashi.

E përfaqësuesi i organizatës studentore “Studim, Kritikë, Veprim”, ka thënë se si organizatë kanë kërkuar nga UP-ja të gjejë mekanizma për ta rregulluar një gjë të tillë.

“Literatura shpesh ndodhë që të mos jetë në gjuhën shqipe në rastin më të mirë ajo është në gjuhën angleze por ka raste kur është në gjuhën gjermane dhe në gjuhën serbe që shumë pak studentë kanë njohuri për këto dy gjuhë...00:57 UP-ja duhet ta ketë një shtëpi botuese të tij për shkak të përkthimit të literaturës dhe për shkak të literaturave tjera”, është shprehur Altin Mehmetaj nga SKV-ja.

KOHA ka dërguar pyetje në Fakultetin e Mjekësisë dhe atë Teknik, por nuk ka marrë përgjigje.