1 perditesime
20:49

Berisha për Bashën: Është peng i Ramës dhe ambasadores Yuri Kim

Ish-lideri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka thënë se Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike, është peng i kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores së SHBA-së Yuri Kim.

Berisha thotë se Basha është “marrë peng nga dosjet e krimit”.

“Ai [Basha] është peng i Ramës dhe ambasadores Yuri Kim. Është marrë peng nga dosjet e krimit. Ju e dini lobistin Nick Musin, ajo është një dosje që e ndjek sot dhe do ta ndjek gjithë jetën Bashën. Musin doli në dosje për rikthimin e Fetullah Gulenit. Ai kërkonte të fliste për Bashën, kishte tri akuza për të, njëra prej tyre ishte shpëlarja e parave. Këtë dosje ia mbylli Rama në Shqipëri për shpëlarje parash. Edhe FBI-ja e kishte nën hetim. E vërteta është që nga ajo kohë, Basha nuk ka shkelur në SHBA. Basha kishte dy zgjidhje kur erdhi ajo dosje, burg këtu [Shqipëri], burg atje [SHBA], ose të bëhet peng i Ramës dhe Kimit. Kunati i Bashës është menaxher i kompanisë arabe që mori në pronësi Portin e Durrësit. Basha është shkarkuar në mënyrën më të mundshme ligjore, me 4.446 vota të anëtarësisë së PD-së. Basha po qëndron në zyrë me Policinë e Ramës dhe mbështetjen e ambasadores Kim”, potencoi Berisha në “Java Sonte Me Rronin” në KTV.

 

20:23

Berisha akuzon Sorosin për shpalljen “non grata” nga SHBA-ja dhe idenë e ndryshimit të kufijve

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka akuzuar drejtpërdrejtë miliarderin George Soros, si një nga shkaktarët pse ai është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vitin e kaluar.

Berisha e akuzoi Sorosin edhe për “vendosjen e monizmit në Shqipëri”, duke i përmendur lidhjet e tij me kryeministrin aktual Edi Rama, për të cilin tha se kontrollon pothuajse të gjitha organizatat e shoqërisë civile. Ish-lideri i së djathtës tregoi se kishte kërkuar publikisht, madje edhe nga SHBA-ja dhe Parlamenti Evropian, ta shpallnin Sorosin person “non grata”.

“Kjo është një nga habit e këtij dizenjimi, habi e cila ka çuditur gjithë botën, por shkaku themelor i kësaj qëndron në përballjen time të hapur me një armik të egër të demokracisë në Shqipërisë dhe të interesit kombëtar, i cili quhet George Soros dhe është aktualisht është lobisti më i fuqishëm politik i planetit. Nuk kam asgjë personale me këtë person, por është një nga kontribuuesit kryesor të vendosjes së monizmit në Shqipëri. Sipas studimeve të besueshme, sot Edi Rama ka pushtet 10 për qind më shumë seç kishte diktatori i fundit komunist Ramiz Alija në vitin 1991. Edi Rama sot kontrollon të gjithë pushtetet, siç faktuan zhvillimet e fundit, kontrollon edhe opozitën. Rama sot kontrollon pothuajse të gjitha organizatat e shoqërisë civile, të cilat i ngriti Sorosi me grupacione të ekstremit të majtë. Këtu se kam asnjë problem, por i vuri të gjitha në ombrellën e Partisë Socialiste. Sot, shoqëritë civile në Shqipëri kontrollohen totalisht nga PS-ja. Pas kësaj, Sorosi me fondacionin “Shoqëria e Hapur” ndërmori reformën në sistemin e drejtësisë, me të cilën u dha goditjen më të rëndë qytetarëve shqiptarë, me të cilën i preu atij shteti të brishtë që ekzistonte, kolonën vertebrale, me të cilën bëri të mundur, së bashku me syshkeljen për kanabisin, ndërtimin e narko-shtetit në Shqipëri. Për të gjitha këto, unë në vitin 2017, publikisht nga Parlamenti shqiptar, kam kërkuar shpalljen e Sorosit, multi-miliarder, ‘non-grata’. Dhe unë insistoj në këto kërkesa që i kam shfaqur përpara SHBA-së e Parlamentit Evropian. Kërkesa ime ka qenë shumë e drejtë”, ka thënë Berisha në “Java Sonte Me Rronin” në KTV.

Sipas tij, Sorosi është ideatori i rikthimit të projektit për ndryshimin e kufijve në Kosovë, projekt ky që u kundërshtua nga Berisha.

“Trojka, Vuçiq – Rama dhe lideri i Kosovës [Thaçi] shpalosën problemin e ndryshimit të kufijve, për të cilin Vuçiq deklaroi se Serbia do të bëhet më e madhe. Unë e quaja projekti i serbo-madhësisë, dhe kjo pohohej nga presidenti serb. Unë e kam kundërshtuar këtë projekt. Ky projekt që ekzistonte që nga 1990, tani servirej me vulën e fondacionit “Shoqëria e Hapur” nga Beogradi. Këtë projekt e kishin paraqitur te ndërkombëtarët si plan i ujdisur nga të gjithë faktorët politikë. Kjo ishte gënjeshtër, pasi ky projekt pothuajse kundërshtohej nga të gjithë. Nuk kaloi në administratën Trump ajo marrëzi. Sot, presidenti Joe Biden e ka penalizuar këtë nismë. Sali Berisha e meriton një dekoratë për këtë qëndrim, edhe pse nuk synoj një gjë të tillë. Edhe nisma e Ballkanit të Hapur, është nismë e Sorosit, që i konvenon vetëm Serbisë e Rusisë. Nuk them që të gjitha mëkatet kryesore i ka Sorosi, mëkatet kryesore i kemi vetë ne, megjithatë. Vuçiq është mohues i gjenocideve, ai mohoi edhe gjenocidit e Srebrenicës. Ai i plotëson të gjitha kushtet për të qenë kriminel lufte”, shtoi Berisha.