Arbëri

Muja: ZRRE-ja u ka lejuar KEDS-it dhe KESCO-s fitime milionëshe

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja, ka akuzuar Zyrën e Rregullatorit të Energjisë se iu ka lejuar KEDS-it dhe KESCO-s, fitime milionëshe para kohës së ardhjes së Qeverisë Kurti në pushtet.

I ftuar në Interaktiv të KTV-së, Muja thotë se shkalla e fitimit që nga procesi i privatizimit ka qenë e lartë.

I pyetur se pse KEDS nuk po i pranon edhe humbjet ashtu sikurse fitimet të cilat kanë qenë milionëshe, duke e bërë kështu Qeverinë të ketë obligime, Muja tha se po të bëhej një analizë 10-vjeçare, sipas tij del që çdo kërkesë që ka bërë KEDS dhe KESCO, kanë shkuar në aprovim pothuajse të tërësishëm, fitimin e kanë marrë për vete ndërsa riskun e ka marrë mbi supe populli i Kosovës.

“Këtë vit ka mjaftuar një krizë energjetike në Evropë që ne pastaj t’i përjetojmë pasojat e neglizhencës që i kemi bërë sektorit që 20 vjet. Shkalla e fitimit që nga procesi i privatizimit, KEDS e KESCO midis vitit 2019 dhe 2021 kanë pasur një fitim përafërsisht 150 milionë euro. Kjo është e vërteta në bazë të pasqyrave të tyre financiare. ZRRE-ja ua ka lejuar KEDS-it të hyra vjetore rreth 100 milionë euro, këtë e ka bërë para se të vijmë ne në pushtet. KESCO-s ia ka lejuar diku 238 milionë euro, KOSTT-it diku rreth 40 milionë euro. Këto planifikime i ka bërë ZRRE-ja, e cila në atë kohë ka qenë e nominuar prej PDK-së dhe AAK-së. Që nga viti 2017 nëse e merr një analizë 10 vjeçare, mendoj që çdo kërkesë që ka bërë KEDS dhe KESCO, kanë shkuar në aprovim pothuajse i tërësishëm, fitimin e kanë marrë për vete, riskun e ka mbajtur populli i Kosovës”, ka thënë Muja.