Arbëri

Kurti premton përmirësim të kushteve për Njësinë Speciale

Në përvjetorin e 15-të të themelimit të Njësisë Speciale Intervenuese, Kryeministri Albin Kurti, e vizitoi kampin e kësaj njësie, me ç’rast e përgëzoi për punën, angazhimin dhe kontributin pa kursim e të parezervë që në Kosovë të sundojë ligji dhe të ketë siguri për të gjithë qytetarët e Republikës.

Sipas njoftimit për media, Kurti tha se Qeveria e Kosovës është në shërbim të qytetarëve, por edhe në shërbim të mekanizmave shtetërorë si Policia e Kosovës, pa të cilët nuk mund ta mbajmë zhvillimin e progresin, mirëqenien dhe dinjitetin e qytetarit të Republikës.

Në të njëjtën kohë, u tha ai pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese, se janë plotësisht të vetëdijshëm për nevojat e tyre dhe për mungesat që ekzistojnë dhe gjithashtu për mundësitë që duhet t’i shtojnë, prej çështjes së mungesës së pajisjeve dhe armatimit në disa prej njësive, mbrojtjeve shtesë në kushtet e rrezikshmërisë së lartë dhe çështjes së pagës.

Kurti tha se nevojat dhe mungesat e tilla do të trajtohen me prioritet jo vetëm nga Ministria e Punëve të Brendshme, por nga i gjithë kabineti qeveritar.

Duke u shprehur mirënjohje për sakrificën dhe situatat e rrezikshme me të cilat përballen në punën e tyre, që Republika e Kosovës të jetë gjithmonë vend i kushtetutshmërisë, i ligjshmërisë, i drejtësisë dhe i sigurisë, kryeministri Kurti i uroi për 15 vjetorin e themelimit dhe i përgëzoi për angazhimin në veçanti komandantët e njësive.