Ish-Koordinatori Shtetëror për Dialog, Skender Hyseni, ka deklaruar se ndalimi i mbajtjes së referendumit serb në Kosovë ka qenë obligim kushtetues i Qeverisë dhe kjo duhej të ndodhte në koordinim me aleatët e Kosovës.
Ish-ministri në disa mandate dhe zyrtari shumëvjeçar i LDK-së, Hyseni, në shkrimin e postuar në Facebook me titullin: "Rezoluta kundër referendumit serb, qyqarllëku i binomit Kurti-Osmani dhe servilizmi e hipokrizia politike e Abdixhikut", tha se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë pasur kohë dy muaj të bindin faktorin ndërkombëtar se nuk duhet të mbahet referendumi i Serbisë në Kosovë, mirëpo në vend të konsultave, sipas tij, kanë zgjedhur opsionin e "demonstrimit të sovranitetit të padiskutueshëm".
Për t’u arritur ky koordinim dhe dakordim Kurti e Osmani kanë pasur gati dy muaj kohë. Por, në vend të koordinimit, konsultimeve dhe dakordimit, Kurti e Osmani kanë zgjedhur opsionin e demonstrimit të ‘sovranitetit të padiskutueshëm’ nën sloganin ‘ne nuk kemi nevojë për aleat e as miq dhe nuk lejojmë askend të përzihet në punët tona të brendshme’”, shkroi ai.
Hyseni i ka quajtur strucë Kurtin e Osmanin, duke thënë se të dy e çuan në Kuvend këtë iniciatëve për ta hequr përgjegjësinë nga vetja.
“Dhe këtë përkrahje e gjetën, ku tjetër pos te servili dhe hipokriti politik, aleati i tyre Lumir Abdixhiku i LDK-së, i cili me aleancën e tij të heshtur me Kurtin e Osmanin, përkatësisht me servilizmin dhe hipokrizinë e tij politike, e ka infektuar keq edhe një pjesë të LDK-së. Po e nënvizoj: ‘Një pjesë të LDK-së’. LDK vështirë që do të mund të dal nga kurthi në të cilin e ka futur Lumir Abdixhiku, duke e bërë këtë parti pjesë të një politike populiste, rrënuese për vendin, politikë e rrezikshme e cila sapo ka zënë të ngre kokë”, shkroi tutje ish-zyrtari i LDK-së.
Ai tha se problemi me Serbinë nuk mbyllet me zgjidhje parciale, “qofshin ato edhe fitore simbolike si kjo e referendumit”.
“Prandaj, dialogu me Serbinë, si një proces i pashmangshëm dhe i domosdoshëm për një Marrëveshje Gjithpërfshirëse është prioritet dhe urgjencë. Një marrëveshje e tillë është thelbësore dhe e domosdoshme, sepse vetëm ashtu zgjidhen, në pako, të gjitha çështjet e veçanta të interest të ndërsjellë. Duhet përsëritur këtu se çdo zvarritje e mëtejme e marrëveshjes me Serbinë mbanë peng stabilitetin afatgjatë të Kosovës dhe konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë përmes rrumbullakësimit të subjektivitetit të saj, deri në antarësim të plotë në NATO, BE dhe OKB”.
Hyseni shtoi se duhet komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me Administratën e re amerikane të presidentit Joe Biden, Brukselin, Londrën, Parisin dhe Romën, për të ndihmuar në arritjen e zgjidhjes.
Kryetari i ri i LDK-së, Abdixhiku, kohëve të fundit është sulmuar për veprimet politike edhe nga disa zyrtarë të tjerë të LDK-së.
Në të vërtetë, kjo ishte hera e parë që një qeveri e Kosovës ndalon një votim të Serbisë në Kosovë, qoftë për zgjedhje apo referendum.