10 perditesime
16:03

Kuvendi i thotë jo referendumit të Serbisë në Kosovë

Kuvendi i Kosovës me 76 vota pro ka miratuar rezolutën kundër lejimit të organizimit të referendumit të Serbisë brenda territorit të Kosovës. Pos Vetëvendosjes si parti në pushtet, rezoluta u përkrah nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Driton Selmanaj i LDK-së abstenoi.

Përmbajtja e rezolutës:

1. Kuvendi si përfaqësues i qytetarëve shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit të Serbisë në Kosovë cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës dhe është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe normat ndërkombëtare.

2. Kuvendi kërkon nga Qeveria dhe institucionet gjegjëse të ndërmerren veprimet për të mos lejuar cenimin e sovranitetin dhe rendin kushtetutës nga mbajtja e referendumit të një shteti të huaj në territorin e Kosovës.

3. Kuvendi thekson përkushtimin e Kosovës për të garantuar dhe mbrojtur të gjitha të drejtat e shtetasve të Kosovës në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën.

4. Kuvendi në këtë frymë vë në pah të drejtën e qytetarëve me dyshtetësi të Kosovës të ushtrojnë të drejtën e votës në përputhje me standardet kushtetuese dhe praktikat ndërkombëtare, në rastin konkret, qytetarëve serbë që kanë shtetësi edhe të Serbisë u garantohet e drejta të votojnë përmes postës dhe zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

5. Kuvendi thekson se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës dhe përfshirja e strukturave ilegale në një organizim të tillë përbën shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës të Kosovës dhe praktikave ndërkombëtare.

6. Kuvendi shpreh kundërshtim ndaj veprimeve të vazhdueshme të Serbisë për të instrumentalizuar dhe keqpërdorur qytetarët serbë të Kosovës në shërbim të politikave të veta armiqësore kundër Kosovës.

7. Kuvendi mirëpret qëndrimet e prera të bashkësisë ndërkombëtare për sundimin e ligjit në Kosovë dhe pret mbështetjen për të drejtat legjitime dhe qasjen parimore të Kosovës sepse vetëm duke u trajtuar të barabartë të gjitha shtetet e rajonit mund t’u garantohet stabiliteti, demokracia dhe fryma euro-atlanatike e rajonit. Kërkojmë nga Qeveria të vazhdojë bashkërendimin me partnerët strategjikë të Kosovës në interes të ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe sovranitetit shtetëror.

8. Kuvendi mbetet i përkushtuar për të dhënë kontributin për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të drejtave të qytetarëve dhe garantimin e demokracisë dhe vazhdimin e agjendës euro-atlantike të rajonit tonë.

15:42

LDK-ja kërkon t’i shtohet një pikë rezolutës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që rezolutës së propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria t’i shtohet një pikë. Sipas shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, pika që propozohet t’i shtohet rezolutës është që “Kuvendi kërkon nga Qeveria të përdorë praktikat më të mira ndërkombëtare e të jetë në koordinim me partnerët strategjikë në interes së ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe sovranitetit”.

Për këtë çështje Kuvendi ka marrë pauzë të shkurtër. Pas përfshirjes së pikës, Gashi ka thënë se LDK-ja do ta votojë rezolutën.

AAK-ja ka dalë pro rezolutës së VV-së.

15:17

Kurti: Qeveria jonë nuk është anti-serbe

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Qeveria që ai drejton nuk është anti-serbe.

Këtë deklaratë Kurti e ka bërë në seancën e jashtëzakonshme për referendumin, si kundërpërgjigje ndaj deklaratës së shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbë, Igor Simiq, i cili tha se po veprohet kundër serbëve.

“Qeveria jonë nuk është anti-serbe, ne kemi një ministër nga komuniteti serb, madje është kryetari i Listës Serbe, pastaj kemi edhe zëvendësministra e këshilltar. Luftimi i krimit dhe korrupsionit nuk njeh etni, dhe policët kur e luftojnë atë nuk zbatojnë urdhra të Qeverisë por të Prokurorisë. Prandaj edhe luftimi i krimit e korrupsionit që bëhet në Kosovë nuk bëhet duke pasur parasysh përkatësinë kombëtare të atyre që janë të dyshuar si të korruptuar e kriminelë. Është Serbia ajo që është kundër Kosovës dhe përpjekjeve tona për progres ekonomik e për avancim në agjendën evropianë e euro-atlantike”, ka deklaruar Kurti.

Ai po ashtu ka sqaruar për opozitën arsyet pse është thirr seancë e jashtëzakonshme për referendumin serb në Kosovë.

Kurti ka thënë se nuk ka pasur mundësi që të diskutohet kjo çështje në seancë të zakonshme pasi ende nuk ka filluar sesioni pranveror i Kuvendit.

Sipas tij, do të ishte gabim të mos diskutohej kjo çështje në Kuvend.

“Po të ishte seancë e zakonshme, me siguri se do të diskutohej kjo temë mirëpo seancë e jashtëzakonshme është meqë nuk ishte e mundshme të ishte seancë e zakonshme, pasi nuk ka filluar ende sesioni pranveror, andaj është seancë e jashtëzakonshme. Nuk ka vendbanim nuk ka lagje e shtëpi që nuk diskutohet kjo temë. Është gabim të mos diskutohet në Kuvendin e Repoublikës”, ka thënë Kurti, si përgjigje ndaj partive opozitare të cilat kritikuan mbajtjen e seancës për këtë qëllim.

15:15

Lista Serbe – Kurtit: Mos veproni kundër serbëve

Kryetari i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Igor Simiq, i kërkoi kryeministrit Albin Kurtit që të ndryshojë vendimin dhe të lejojë mbajtjen e referendumit serb në Kosovë.

Ai ka thënë se nuk do të vazhdojnë të jenë pjesë e seancës, ndërsa tha se Kurti nuk duhet të veprojë kundër serbëve.

“A jeni të vetëdijshëm që flisni për demokraci dukeni qesharak në sytë e ndërkombëtarëve. Në emër të Listës Serbe dhe popullit serb kërkoj që të ndryshoni vendimin. Kërkoj që të mos veproni me kampanjën anti-serb. Nuk do të vazhdojmë që të jemi pjesë e seancës sepse nuk dëshirojmë ta legjitimojmë atë që është jo legjitime”, tha ai.

15:10

Haradinaj: Institucionet të mos lejojnë cenimin e rendit kushtetues

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të mos lejojnë cenimin e rendit kushtetues të vendit.

Haradinaj në fjalën e tij para deputetëve, në seancën e jashtëzakonshme për referendumin, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që ta përkrahin Kosovën në ruajtjen e rendit kushtetues të Kosovës.

“Referendumi kushtetues i Serbisë në Kosovë është jokushtetues dhe jo ligjor. Votimi me postë dhe zyrën ndërlidhëse në Prishtinë përmbush standardet ndërkombëtare. AAK-ja kërkon nga institucionet e Kosovës që të mos lejojnë cenimin e rendit kushtetues. AAK-ja mbështet institucionet e Kosovës në zbatimin e ligjit. Ftojmë bashkësinë ndërkombëtare veçmas aleatët e sigurisë që ta përkrahin Kosovën për ruajtjen e rendit kushtetues të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

15:09

LDK-ja nuk mbështet rezolutën e Kurtit, “disa punë nuk bëhen për duartrokitje”

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në emër të partisë së tij ka folur për referendumin serb në seancën e Kuvendit.

Abdixhiku ka thënë se për LDK-në është çështje e mbyllur mbajtja e referendumit të një shteti tjetër. Ai shtoi se nuk e kupton pse ishte e nevojshme të thirrej kjo seancë e jashtëzakonshme.

“Kjo tendencë është jo kushtetuese është praktikë e papranueshme ndërkombëtare është praktikë në kundërshtim me parimet e demokracisë. Referendumi i Serbisë mohoi integritetin territorial të Kosovës dhe rendin tonë kushtetues, bëhet edhe më i papranueshëm, Kosova ka arsye që të refuzojë këtë referendum. E paqartë megjithatë mbetet nevoja e kësaj seance dhe nxjerrja e kësaj rezolute. Së pari kryeministri ka obligim kushtetues. Rezolutat eventuale janë shprehje e vullnetit politik e që është shprehur edhe publikisht”, tha ai.

Abdixhiku ka thënë se LDK-ja nuk bën përçarje nacionale për tema të tilla. I tha Kurtit të marrë përgjegjësi dhe se nuk i duhet popullizmi.

“LDK refuzon të shkaktojë përçarje nacionale në tema si kjo. Ne megjithatë shohim përtej ngushtësisë partiake. Nëse kushtetuta të jep çdo të drejtë dhe nëse kjo seancë nuk është shfaqje për popullizëm na thoni se çfarë është. Kryeministri nuk po guxon të marrë vendim, ka zgjedhur Kuvendin që ta ndajë presionin e jashtëm ndaj tij. Problemi për referendumin serb nuk është i ri, ka kohë që është në tavolinën e kryeministri”.

“Kryeministër Kushtetutën e ke, ushtro rolin tënd kushtetues prej kryeministrit. Ti nuk mund të kesh më qëndrime, merr vendime. Asnjë rezolutë nuk e bënë këtë përgjegjësi as më të lehtë. Disa punë nuk bëhen për duartrokitje”, tha ai.

“Ky vendim dhe qëndrim i yni është publik, mund të fshihesh prapa tij nëse ke nevojë”.

14:50

Kusari-Lila: Sot momenti vendimtar që të mësohet nga gabimet e të kaluarës

Kryetarja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ftesa për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit lidhur me referendumin, duhet të shihet si përkushtim për të kthyer normalitetin në realitetin politik të Kosovës.

Kusari- Lila, ka thënë gjatë fjalës së saj në seancën e së shtunës, se nëse Kosova ka gabuar si shtet deri tani, është momenti vendimtar që të mësohet nga këto gabime.

“Kjo ftesë për seancë të jashtëzakonshme duhet parë si përkushtim për të kthyer normalitetin në realitetin politik të Kosovës, pa ndërhyrje nga shteti verior. Kjo seancë sot mbahet për tu përcjellë qartë dhe drejtë qëndrimi i të gjitha grupeve parlamentare pse nuk duhet të mbahet referendumi i një shteti tjetër, në territorin e Kosovës. Kjo praktikë nuk haset askund në vendet e tjera të botës. Me lejimin e këtij procesi shkelim dispozitat kryesore të Kushtetutës sonë. Në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet serbe ndër vite. Është jokorrekte që të bëjmë analogji duke u thirrur në mbajtjen e referendumit sipas praktikave të mëhershme. Nëse kemi gabuar si shtet deri tani, është momenti vendimtar që të mësojmë nga gabimet tona”, ka thënë Kusari-Lila.

14:46

Kurti paraqet rezolutën para deputetëve, “askush askujt nuk po ia cenon të drejtën e votës”

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kushtetuta e Kosovës përcakton se të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit. Ai në seancën e jashtëzakonshme për referendumin serb ka thënë se votimi mund të bëhet përmes zyrës ndërlidhëse ose postës.

Tha se nuk po ia cënon askujt të drejtën e votës.

“Askush askujt nuk po i cenon të drejtën e votës, thjesht nisur nga fakti që detyrën e ambasadës së Serbisë në Kosovë e ushtron zyra ndërlidhëse në Prishtinë, votimi për referendum mund të bëhet në këtë zyrë në pajtim me ligjin e Kushtetutën tonë. Serbët e Kosovës në këto vite nuk kanë votuar si votues jashtë vendit, por brenda vendit. Problemi nisë nga Kushtetuta e Serbisë që Kosovën e trajton si njësi brenda saj, Kushtetutë që daton më herët se shpallja e pavarësisë së Kosovës. Megjithatë një praktikë e gabuar e vendosur nëpër vite nuk e arsyeton vazhdimin e gabimit të njëjtë. Pëlqimi i autoriteteve nuk është mbi ligjin. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe duhet të trajtohet si i tillë”.

Kurti ka paraqitur rezolutën për votim me arsyetimin për ta bërë të qartë qëndrimin kundër që të mbahet referendumi serb në Kosovë, të të gjithë spektrit politik të Kosovës.

Rezoluta

1. Kuvendi si përfaqësues i qytetarëve shpreh qëndrimin e përbashkët që organizimi i referendumit të Serbisë në Kosovës cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës dhe është ën kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

2. Kuvendi kërkon nga Qeveria dhe institucionet gjegjëse të ndërmerre veprimet për të mos lejuar cenimin e sovranitetin dhe rendin kushtetutës nga mbajtja e referendumit të një shteti të huaj në territorin e Kosovës.

3. Kuvendi thekson përkushtimin e Kosovës për të garantuar dhe mbrojtur të gjitha të drejtat e shtetase të Kosovës në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën

4. Kuvendi në këtë frymë afirmon të drejtën e qytetarëve me dyshtetësi të Kosovës të ushtrojnë të drejtën e votës në përputhje me standardet kushtetuese, në rastin konkret, qytetarëve serbë që kanë shtetësi edhe të Serbisë u garantohet e drejta të votojnë përmes postës apo zyrës ndërlidhëse.

5.Kuvendi thekson se hapja e qendrave të votimit të Serbisë dhe përfshirja e strukturave ilegale në organizim të tillë përbën shkelje të ligjeve dhje Kushtetutës.

6.Kuvendi shpreh kundërshtim ndaj veprimeve të vazhdueshme të Serbisë për të instrumentalizuar dhe keqpërdorur qytetarët serbë të Kosovës në shërbim të politikave të veta.

7.Kuvendi mirëpret qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare për sundimin e ligjit dhe pret mbështetjen për të drejtat legjitime dhe qasjen parimore të Kosovës sepse vetëm duke trajtuar barabartë të gjitha shtetet e rajonit garantohet stabiliteti e demokracia.

8. Kuvendi mbetet i përkushtuar për të dhënë kontributin për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të drejtave të qytetarëve dhe garantimin e demokracisë.

14:37

Deputetët e Listës Serbe marrin pjesë në seancën për referendumin

Deputetët e Listës Serbe kanë mbërritur në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, lidhur me kërkesën e Serbisë për mbajtjen në territorin e Kosovës, të referendumit për ndryshime kushtetuese të saj.

Në seancë po mungojnë vetëm deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk bëhen pjesë e ikjes së kryeministrit Kurti nga përgjegjësia.

14:19

LDK-ja zë vendet në Kuvend, merr pjesë në seancën për referendumin

Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar të zë ulëset në Kuvendin e Kosovës për seancën e thirrur nga kryeministri Albin Kurti.

LDK-ja më herët kishte paralajmëruar se do të mblidhet dhe se do të vendosë nëse merr pjesë në seancë.

Aty do të diskutohet për çështjen e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë.

Ndërkohë, PDK-ja ka njoftuar qysh dje se nuk do të marrë pjesë në seancë.

07:57

​Kuvendi me seancë të jashtëzakonshme sot për referendumin serb

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot me fillim prej orës 14:00 për të mbajtur seancën e jashtëzakonshme, ku do të diskutohet në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës.

Diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi këtë çështje.

Në këtë seancë nuk do të marrë pjesë Partia Demokratike e Kosovës, e cila konfirmoi mbrëmjen e së premtes se deputetët e saj nuk do të jenë prezent në seancë. Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se PDK-ja është kundër mbajtjes së referendumit serb në Kosovë, por, megjithatë, Qeveria do të duhej të kishte koordinim më të mirë me shtetet e BE-së dhe SHBA-të gjatë kësaj periudhe.

Presidentja Vjosa Osmani, kryekuvendari Glauk Konjufca, si dhe kryeministri Albin Kurti dolën me deklaratë të përbashkët pas takimit me ambasadorët e QUINT-it dhe përfaqësuesin e BE-së, të premten duke theksuar edhe një herë kundërshtimin e tyre për mbajtjen e referendumit serb në Kosovë.

Në deklaratë thuhet se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare. Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës.

Krerët e shtetit i kanë thënë ambasadorëve se qytetarët serbë të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse.

Sipas tyre, edhe praktikat e deritanishme të aplikuara që nga viti 2012, kanë qenë kundërkushtetuese, e si rrjedhojë nuk i obligojnë institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës të dala nga vullneti i qartë i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt 2021.

Institucionet e Kosovës kanë theksuar se çështja nuk është roli i OSBE-së, por roli i Serbisë dhe strukturave të saj paralele e ilegale në Kosovë.

Institucionet e Kosovës i kanë bërë thirrje të gjitha shteteve demokratike që ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për t`i ndalur veprimet e vazhdueshme të Serbisë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës. Për më tepër, sipas tyre, kjo praktikë e Serbisë, që po e ndjekë modelin rus, ka mbështetjen e plotë të Federatës Ruse.