Arbëri

PDK-ja s’do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme për referendumin e Serbisë

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se e sheh të panevojshme mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për referendumin e Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Në një konferencë për media, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se kjo parti tashmë e ka bërë të qartë qëndrimin kundër organizimit të referendumit të Serbisë brenda Kosovës.

Ai ka thënë se me thirrjen e kësaj seance Qeveria po mundohet ta shmangë përgjegjësinë e vet. Tahiri ka thënë se zbatimi i ligjeve dhe vendimeve që rrjedhin nga ligjet janë përgjegjësi e Qeverisë dhe jo e Kuvendit.

Tahiri tutje kritikoi institucionet për moskoordinim me vendet e QUINT-it dhe veçanërisht SHBA-në për këtë çështje, pasi kërkesa për mbajtjen e referendumit serb në Kosovë kishte ardhur gjatë muajit dhjetor.

“Kryetari Memli Krasniqi ka shprehur qëndrimin e qartë të PDK-së për referendumin e Serbisë në Kosovë. Referendumi serb në Kosovë përbën shkelje të sovranitetit dhe rendit kushtetues. Ne kemi mbështetur qasjen e Qeverisë për të mos lejuar organizimin. Por Qeveria duhej të kishte një koordinim me vendet e QUINT-it, veçanërisht me SHBA-në. Kërkesa e Serbisë për të mbajtur referendum në Kosovë ka ardhur gjatë muajit dhjetor. Gjatë kësaj periudhe, duhet të kishim ofanzivë diplomatike nga presidentja, nga Qeveria, që të bindë aleatët që një kërkesë e tillë cenon integritetin e vendit. Qeveria ka vendosur të hesht dhe të mos bëjë një gjë të tillë. PDK-ja e sheh krejt të panevojshme thirrjen e kësaj seance dhe nuk do të jemi pjesë e saj ditën e nesërme. Ne i kemi dhënë mbështetje një parimi, të cilin e ka shtyrë përpara Qeveria dhe nuk ka nevojë të prodhojë debat të mëtutjeshëm, prandaj e konsiderojmë të panevojshme mbajtjen e një seance të tillë, që është përpjekje e Qeverisë për shmangie të përgjegjësisë. I bëjmë me dije kryeministrit se zbatimi i ligjeve dhe vendimeve që rrjedhin nga ligjet është ekskluzivisht përgjegjësi e Qeverisë dhe jo e Kuvendit. Rendi kushtetutës nuk mund të mbrohet me rezoluta. Ne e dimë cili është karakteri i këtyre rezolutave në Kuvend. Qeveria i ka të gjitha instrumentet në dorë për të mbrojtur rendin tonë kushtetues dhe për t’i qëndruar prapa vendimeve të saja”, ka thënë Tahiri.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit u thirr për nesër nga ora 14:00 me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, pas takimit që ky pati me ambasadorët e QUINT-it në Kosovë. E referendumi në Serbi do të mbahet të dielën, më 16 janar.