Presioni i ndërkombëtarëve, për lejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë edhe në Kosovë, ka bërë bashkë spektrin politik në vend. Qëndrimin e tre krerëve të shtetit kundër organizimit të këtij procesi e kanë përkrahur partitë në opozitë. Për këtë çështje, pas takimit me ambasadorët e QUINT-it e atë të BE-së, kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar një seancë të jashtëzakonshme për të shtunën.
Moslejimi që në Kosovë të mbahet referendumi i Serbisë i vuri në lëvizje ndërkombëtarët.
Pak orë nga reagimi i tyre ndaj Qeverisë, ambasadorët e QUINT-it, së bashku me atë të Bashkimit Evropian, takuan tre krerët e shtetit.
Takimi zgjati rreth 2 orë e pas tij fillimisht nuk pranuan të deklarohen ambasadorët.
Por më pas, ai britanik e komentoi shkurt atë.
“Ishte takim i mirë. Shkëmbim i mirë i pikëpamjeve”, u shpreh Nicholas Abbott.
Detaje nuk dha as kryeministri Albin Kurti, e që pas largimit të ambasadorëve e vazhdoi takimin edhe për disa minuta me presidenten Vjosa Osmani e kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
Kurti paralajmëroi mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për të shtunën.
“Pas këtij takimi të tri institucionet, presidenca, qeveria dhe kryeparlamentari do të dalim me një komunikatë të përbashkët, me një deklaratë të përbashkët për shty dhe pas kësaj do të mund të iu përgjigjemi pyetjeve që mund t`i keni. Ndërsa unë po shkoj në kryeministri në mënyrë që ta përgatis thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për nesër në orën 14”, njoftoi Kurti.
E në deklaratën e përbashkët, tre udhëheqësit deklaruan se mbajtja e referendumit të Serbisë është shkelje e Kushtetutës e sovranitetit të integritetit territorial.
Osmani, Konjufca e Kurti kishin edhe një kërkesë për ambasadorët e QUINT-it e atë të BE-së.
“Institucionet i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, meqë pavarësia e shtetit tonë, jo vetëm që është njohur nga shumica e vendeve demokratike anekënd botës, por edhe është vulosur nga GJND-ja”, thuhej në deklaratën e krerëve të shtetit.
Duke iu referuar qëndrimit të shteteve të QUINT-it, që të vazhdohet me praktikën e deritanishme e të lejohet grumbullimi i votave, krerët e shtetit thanë se nuk do të vazhdojnë me një gjë të tillë.
“....praktikat e deritanishme të aplikuara që nga viti 2012 kanë qenë kundërkushtetuese, e si rrjedhojë nuk i obligojnë institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës të dala nga vullneti i qartë i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt 2021. Aq më tepër kur këto praktika kanë rezultuar vetëm me fuqizimin e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë”, thuhej më tej në deklaratën e përbashkët.
Të një qëndrimi me Qeverinë e Kosovës ishin edhe partitë në opozitë.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se mbajtja e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Kosovës është i papranueshëm.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni”, tha Abdixhiku.
I të njëjtit mendim ishte edhe Memli Krasniqi i PDK-së, i cili tha se megjithëkëtë Qeveria duhet të koordinojë veprimet me partnerët ndërkombëtarë.
“Ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, andaj është i papranueshem lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e një shteti fqinj. Qeveria duhet të bashkërendojë veprimet me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar zgjidhje të përshtatshme, në pajtim me obligimet tona si shtet i pavarur dhe sovran”, deklaroi Krasniqi.
E Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pretendimin e Serbisë për mbajtjen e referendumit e konsideroi sulm “mbi sovranitetin e integritetin kushtetues”.
“Pretendimi i Serbisë që të organizojë referendum kushtetues në territorin e Kosovës është sulm flagrant mbi sovranitetin dhe integritetin kushtetues të Kosovës. Prandaj inkurajojmë dhe jemi në mbështetje të të gjithë atyre që e kundërshtojnë me forcë organizimin e këtij referendumi. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe në territorin e saj nuk mund të organizohen kurrfarë referendumesh të shteteve të tjera, e as referendumi i Serbisë, i cili pastër është përpjekje për ushtrimin e sovranitetit nacional të Serbisë mbi Kosovën”, tha AAK-ja.
Referendumi i Serbisë për ndryshime kushtetuese atje është planifikuar të mbahet këtë të diel, më 16 janar.