Qalaj: Policia e Kosovës nuk u lejua ta hetojë rastin e dosjeve në OVL të UÇK-së

Qalaj: Policia e Kosovës nuk u lejua ta hetojë rastin e dosjeve në OVL të UÇK-së
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, njëherësh deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka dëshmuar sot në gjykimin që po zhvillohet ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit, në Gjykatën Speciale.
Qalaj në dëshminë e tij ndër të tjera ka theksuar se Policia e Kosovës nuk është lejuar që të hetojë rastin e sjelljes në zyrat e Organizatës së Veteranëve Luftës të UÇK-së të dosjeve që mund të jenë të Prokurorisë apo Gjykatës Speciale në Hagë, derisa siç ka thënë, për rastin është informuar nga mediat dhe jo nga kanalet zyrtare.
“Policisë së Kosovës nuk i është kërkuar nga askush që të merret me hetimin e këtij rasti. Kemi marrë udhëzimin nga Prokuroria Speciale e Kosovës që të mos merremi me trajtimin e këtij rasti. Pas këtij njoftimi, Policia e Kosovës nuk vazhdoi të grumbullojë informata apo të identifikojë personin që dyshohet se po i sillte dosjet në shoqatë. Kontrolli i kamerave në zonën përreth nuk mund të bëhet pa pasur urdhëresë nga gjykata”, ka thënë Qalaj, duke shtuar më pas se kjo është hera e parë që Policia e Kosovës nuk ka pasur as edhe një komunikim të vetëm më Dhomat e Specializuara në Hagë.
Qalaj ka thënë po ashtu se e vetmja kërkesë për hetime Policisë i ka ardhur nga zyrtarët e OVL të UÇK-së, derisa ka theksuar se Nasim Haradinajn nuk e njeh personalisht, por vetëm si personalitet publik.
Qalaj po ashtu ka thënë se Policia me të marrë informatën për rrjedhjen e dokumenteve në zyrat e OVL-së, ka shkuar në vendngjarje mirëpo më pas nuk është autorizuar që t’i fillojë hetimet.
“Arsyeja pse Policia e Kosovës nuk i ka marrë këto dokumente është se Prokuroria Speciale nuk ka autorizuar që të fillojnë hetimet. Policia nuk ka qenë brenda gjatë bastisjes mirëpo ka bërë sigurimin e jashtëm të ndërtesës pasi bastisja është bërë nga njësitë speciale të EULEX-it dhe hetuesit e ZPS-së. Pas dërgimit të dokumenteve, Policia ka pasur kërkesë nga shoqatat e dala nga lufta për sigurimin e zyrave të tyre. Autoritetet në Hagë duhet të angazhojnë autoritetet Policinë e Kosovës në bastisje pasi që Policia e Kosovës është shumë profesionale”, është shprehur Qalaj gjatë dëshmisë së tij në Hagë.
Dëshmia e ish-drejtorit të Policisë së Kosovës ka përfunduar ndërsa gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, do të vazhdojë më 21 janar në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarjeje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Haradinaj përfundon dëshminë, pritet të dëgjohet Rashit Qalaj
Për të katërtën ditë radhazi, ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka dëshmuar në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ai të premten edhe ka përfunduar dëshminë e tij.
Haradinajt iu janë bërë edhe disa pyetje nga mbrojtja dhe me to është përmbyllur dëshmia e tij.
Mbrojtja e pyeti të qartësojë qëndrimin e tij karshi Gjykatës Speciale dhe ZPS-së, kurse Haradinaj u përgjigj se “kundërshtimin e kemi vetëm ndaj qasjes që ka prokuroria, jo ndaj gjykatës. Gjykatën e kuptoj si të rregullt dhe legjitime”.
Ai u pyet edhe për disa nga masakrat që ndodhën gjatë luftës në Kosovë, si atë në Prekaz me vrasjen e komandantit Adem Jashari dhe familjarët e tij, masakrën e Mejës, e të tjera.
Avokati Toby Cadman ka pyetur nëse po hetohen nga ZPS-ja kryesit e këtyre masakrave.
“S’kam dijeni, kam bindjen se ende nuk janë duke u hetuar”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se veprat për të cilat akuzohet tash, i ka bërë vetëm për transparencë dhe interes publik.
“Të tregoja si po ndihemi ne si veteranë, në fund unë e kam dhënë jetën për demokraci dhe liri, prandaj kur shoh se janë shkelur këto, kjo ka qenë për hirë të transparencës dhe njëanësisë që ka kjo prokurori”, ka thënë Haradinaj.
A e keni publiku ndonjë nga materialet qe u soll ne zyre?
“Asnjëherë në asnjë fletë nuk kam publikuar dhe nuk kam fotografuar asgjë vetë personalisht”, u përgjigj në pyetjen e fundit që iu bë nga mbrojtja nëse ka publikuar Haradinaj vetë ndonjë nga materialet që i shkuan zyrës së OVL-së.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Shefi i BE-së në Kosovë: Njerëzit që jetojnë në veri janë në rrezik

Radoiçiqi arrestohet në Serbi

KPM-ja ndalon transmetimin e kanaleve të Arena-s që shfaqën spotin kërcënues në serbisht

AAK-ja insiston në hetim ndërkombëtar për sulmin në veri

Surroi: Rama duhet të ishte më i bashkërenduar me Kosovën

Kalendarit të vaksinimit në Kosovë i shtohen edhe tri vaksina

Spanca: 800 mijë euro i kanë kushtuar buxhetit 129 punonjësit serbë pa shkuar fare në punë

Hoti thotë se në Qeverinë Mustafa janë ndarë të gjitha mjetet e nevojshme karshi kontratës me “Bechtel-Enkan”

Rashiq: Jemi të fokusuar kah zhvillimi ekonomik

Tahiri kërkon që SHBA-ja të ndërtojë bazë ushtarake në veri të Kosovës

KDI: Vetëm 10% e qytetarëve mendojnë se sektori i drejtësisë ka shënuar përmirësime
