Arbëri

Haradinaj përfundon dëshminë, pritet të dëgjohet Rashit Qalaj

Për të katërtën ditë radhazi, ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka dëshmuar në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ai të premten edhe ka përfunduar dëshminë e tij.

Haradinajt iu janë bërë edhe disa pyetje nga mbrojtja dhe me to është përmbyllur dëshmia e tij.

Mbrojtja e pyeti të qartësojë qëndrimin e tij karshi Gjykatës Speciale dhe ZPS-së, kurse Haradinaj u përgjigj se “kundërshtimin e kemi vetëm ndaj qasjes që ka prokuroria, jo ndaj gjykatës. Gjykatën e kuptoj si të rregullt dhe legjitime”.

Ai u pyet edhe për disa nga masakrat që ndodhën gjatë luftës në Kosovë, si atë në Prekaz me vrasjen e komandantit Adem Jashari dhe familjarët e tij, masakrën e Mejës, e të tjera.

Avokati Toby Cadman ka pyetur nëse po hetohen nga ZPS-ja kryesit e këtyre masakrave.

“S’kam dijeni, kam bindjen se ende nuk janë duke u hetuar”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se veprat për të cilat akuzohet tash, i ka bërë vetëm për transparencë dhe interes publik.

“Të tregoja si po ndihemi ne si veteranë, në fund unë e kam dhënë jetën për demokraci dhe liri, prandaj kur shoh se janë shkelur këto, kjo ka qenë për hirë të transparencës dhe njëanësisë që ka kjo prokurori”, ka thënë Haradinaj.

A e keni publiku ndonjë nga materialet qe u soll ne zyre?

“Asnjëherë në asnjë fletë nuk kam publikuar dhe nuk kam fotografuar asgjë vetë personalisht”, u përgjigj në pyetjen e fundit që iu bë nga mbrojtja nëse ka publikuar Haradinaj vetë ndonjë nga materialet që i shkuan zyrës së OVL-së.