Arbëri

Babadimri i parë i Kosovës

Descriptive Text

Dashuri Rexhepi, aktor i teatrit “Ardiana” në qytetin e Ferizajt, njihet si i pari Babadimër i Kosovës, që me kostum kuqebardh ka ndarë dhurata falas për fëmijët qysh nga viti 1995

Secilin funddhjetor, një Babadimër i veçantë shfaqej në rrugët e Ferizajt për t’i gëzuar fëmijët me dhurata. Ani se Komuna tash e sa kohë e ka bërë traditë që ta vendosë një Babadimër dekorativ në sheshin e qytetit, ky i kahershmi e ka një simbolikë tjetër.

Më 1995, aktori nga ky qytet, Dashuri Rexhepi, është shfaqur për herë të parë si Babadimër dhe u ka shpërndarë dhurata fëmijëve në të gjitha qytetet e vendit. Duke qenë aktor i angazhuar në teatrin e qytetit “Adriana”, qysh nga viti 1983, ky Babadimër e di mirë se si duhet të krijojë afërsi me fëmijët, meqenëse ka luajtur në shfaqje të numërta për fëmijë duke i dhënë jetë prej kohësh edhe rolit të palaços.

“Tamam me veshje dhe me konstum të Babadimrit kam shpërndarë dhurata në atë kohë, pra kam qenë unë i pari, unë e kam sjellë Babadimrin për herë të parë. Jo që njerëzit nuk kanë ditur për Babadimrin, por për të dalë në sipërfaqe dhe në opinion kam qenë unë i pari”, rrëfen Rexhepi, tek përgatitet për një shfaqje fëmijësh në teatrin ku punon.

Para se të bëhej Babadimër, ai karrierën në aktrim e kishte nisur qysh më herët, nga shkolla e mesme.

“Bashkë me disa shokë e nisëm këtë drejtim mbi 38 vjet më parë. Kam pasur kënaqësinë të punoja me regjisorë të mirë të vendit dhe me aktorë të gjeneratave të ndryshme, e edhe me njerëz të artit. Ndërkaq si Babadimër kam dalë për herë të parë në Ferizaj dhe në gjithë shqiptarinë në vitin 1995, pra, jam Babadimri i parë në vend”, thotë Rexhepi.

Komercializimi i Babadimrit

Me kalimin e viteve Rexhepi thotë se “puna” e Babadimrit në Kosovë është shndërruar në biznes.

“Asokohe ka qenë kënaqësi të jesh Babadimri i parë në vend dhe t’i gëzosh fëmijët me dhurata falas. Ndërkaq tash, në çdo pesë metra e ke nga një Babadimër të veshur, por ato hollësitë e Babadimrit nuk i sheh askush. Andaj për ata kryesorja është që t’ua marrin paratë fëmijëve madje edhe për të bërë një foto me ta. Mirëpo Babadimri, siç thotë një fjalë e popullit, është ‘Mana’, sepse duhet të dish të jesh Babadimër. Pra, jo vetëm t’i veshin kostumet”, shprehet aktori.

Ai për më tepër tregon se Babadimrat e shumtë që sot e mbushin sheshin e qytetit as që ia japin hakun kostumit që e mbajnë veshur.

“Rastësisht një ditë e pashë një Babadimër në qytet. Nuk e kishte veshur si duhet kostumin. Iu ofrova dhe ia drejtova e pastaj i thashë: ‘Shiko, ti je Babadimër, duhet me qenë më i kompletuar’. Më tha: ‘Ik largohu nga këtu dhe mos u përziej në punët e mia’. Ai nuk e dinte se unë isha Babadimri i parë që jam shfaqur në këtë vend dhe e di sesi duhet të vishet dhe sillet një Babadimër”, thekson Rexhepi.

Rrëfen se për këtë punë një i afërm i tij më 1995 ia kishte sjellë rrobat e Babadimrit nga Turqia dhe se që atëherë vazhdon t’i përdorë dhe t’i ruajë ato.

Me këto kostume ai thotë se punën e Babadimrit e bënte vetëm që fëmijëve t’u dukej sa më argëtuese figura e plakut të qeshur të Vitit të Ri.

“Ka qenë interesant, sepse edhe kur kam shkuar te ndonjë familje që ka pasur fëmijë, paraprakisht në oborrin e shtëpisë bërtisja dhe i kërkoja fëmijët. Kështu që, tash e sa kohë, të gjithë më njohin si Babadimri i parë dhe më i dashuri i tyre”, rrëfen ai.

Porse ndryshe prej tij që ndante dhurata, Babadimrat e sotëm në Ferizaj këtë punë e kanë kthyer në mjet të përfitimit të parave. Ditëve të fundit të vitit, një i tillë ishte pozicionuar para një dyqani të qytetit dhe i priste fëmijët për fotografim me të. Porse për një shkrepje momenti me më të vegjlit kërkonte para.

“Në kohën kur isha i vogël, Babadimri sillte dhuratat falas për të gjithë fëmijët e lagjes, ndërkaq sot përveçqë dhuratën duhet t’ua blejmë, edhe po paguajmë për një fotografi, pasi që fëmijët kanë dëshirë të fotografohen me Babadimrin. Tani është një kohë më e vështirë, por secili fëmijë kur të rritet do ta kuptojë prejardhjen dhe legjendën e Babadimrit”, shprehet Bedri Krasniqi, qytetar i Ferizajt, i cili bashkë me të birin e tij, Leonitin, kishin ecur mbi një kilometër në këmbë për të mbërritur deri në qendër të qytetit enkas për një fotografi me babagjyshin.

“Që nga lagjja jonë e deri në dalje të qytetit i kemi më shumë se një kilometër, mirëpo dëshira e secilit prind është që t’ua plotësojë dëshirat fëmijëve”, shprehet ai.

E i biri i tij thotë se dëshiron një dhuratë nga Babadimri, derisa fotografohej me të.

“E dua dhuratën e madhe nga Babadimri”, u thoshte ai prindërve.

Pronari i një biznesi në qytet, i cili kërkoi që të mos i përmendej emri, ka thënë për KOHËN se puna e Babadimrit është që të sjellë të ardhura të mira gjatë festave të fundvitit, andaj dhe shumë prej bizneseve merren me këtë punë.

“Ne prej vitesh merremi me këtë punë, sepse normal që kemi të ardhura derisa fëmijët kanë dëshirë të marrin foto me Babadimër dhe kanë dëshirë të blejnë dhurata. Në të kaluarën Babadimri ka sjellë dhurata falas për fëmijët, por mbrapa tyre ka qëndruar ndonjë biznes që në secilin produkt ose në secilën dhuratë e ka vendosur logon e biznesit të vet”, shprehet ai.

Megjithëkëtë, për Babadimrin e parë gjërat dikur, ndryshe prej sot, bazoheshin në dashurinë për fëmijët.

Image
Komuna e Ferizajt tash e sa kohë e ka bërë traditë që ta vendosë një Babadimër dekorativ në sheshin e qytetit

Prej Babadimrit në skenë teatri

Pos fëmijëve, Rexhepi ka edhe profesionin e tij prej aktori, të cilin e do shumë. I pari që e kishte ngritur në skenën e teatrit “Adriana” ishte drejtori i tanishëm i tij, Fatmir Hyseni. Hyseni tregon se gjithçka kishte marrë fill prej një propozimi rastësor.

“Më 1979 kam luajtur si fëmijë në këtë teatër e më 1983 fillova që ta bëja regjinë e parë të një shfaqjeje. Asokohe nevojiteshin aktorë që kishin kaluar nëpër një lloj audicioni, mirëpo një profesor i gjuhës shqipe ma propozoi zotëri Rexhepin dhe prej atëherë ai luan në teatër. Pra, që nga viti 1983”, tregon drejtori.

Rexhepin ai e përshkruan si aktor të dashur dhe të mirë në role të ndryshme, veçmas në ato që lidhen me fëmijët.

“Po, ai ka qenë edhe Babadimër, është veshur me rroba dhe i ka gëzuar fëmijët gjatë festave të fundvitit, duke shpërndarë dhurata me një kompani që ka qenë sponsoruese. Prandaj fëmijët e mbajnë mend asisoj, ngase në kujtesë të fëmijëve gjithmonë mbetesh i veçantë kur u jep dhurata. Gjithashtu, edhe me rolin e palaços ka pasur dhe vazhdon të ketë shumë shfaqje të ndryshme për fëmijë”, tregon Hyseni.

Si burim të të qeshurave dhe të emocioneve të forta, qoftë si Babadimër apo si aktor, e cilëson Rexhepin kryetari aktual i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

“Kthyer 40 vjet prapa, arti skenik në Ferizaj kishte të paktë aktorë, figura që mishëruan teatrin ferizajas. Nga të hershmit që ngjiti skenën e teatrit ‘Adriana’ ishte edhe Dashuri Rexhepi. E njohim shumëkush, herë si aktor teatri e imazh reklame, herë si Babadimër, të cilin rol e lozi ndoshta i pari, që doli në sheshin e Ferizajt për t’i argëtuar të vegjlit, herë si palaço në ngjarje kushtuar fëmijëve edhe në skeçe humoristike e filma të ndryshëm”, ka shkruar Aliu në një publikim të mëhershëm të tij në rrjetin social Facebook. Ai për më tepër ka numëruar rolet e Rexhepit, nisur prej atij të parit më 1983, me shfaqjen “Besa”, e deri te ai që vetë e quan “jetësor” – shfaqjen “Jashtë bie borë”, ku shfaqet në rolin e karakterit të Çiços. “Sa shumë të qeshura, sa emocione të forta u kanë dhënë ferizajasve ai dhe aktorët e teatrit ‘Adriana’. Natyrisht e bëjnë të respektuar punën e tyre dekadëshe”, përfundon Aliu.

Image
Rexhepi karrierën në aktrim e kishte nisur qysh nga shkolla e mesme, shumë kohë para se të bëhej Babadimër

Legjenda e Babadimrit

Dashuri Rexhepin e njohin pothuajse të gjithë qytetarët e Ferizajt.

Bajram Gashi, njëri prej tyre, tregon në hollësi sesi më të vegjlit e qytetit përfitonin dhurata nga Babadimri i parë.

“Vinte duke bërtitur nëpër oborre të shtëpive: ‘ku janë fëmijët’, ‘ku jeni o fëmijë’, ‘erdhi Babadimri për t’ju sjellë dhurata’, etj. Mandej të gjithë fëmijët e lagjes i afroheshin dhe e përqafonin Babadimrin”, thotë Gashi.

Ai tregon se asokohe fëmijët e prisnin me shumë dashuri Babadimrin, ngase besonin në të.

“Pasi ka dalë për herë të parë në opinion Babadimri, për çdo vit fëmijët me padurim e kanë pritur atë, sepse përveç dhuratave ai u sillte edhe dashuri. Ishte njëri prej aktorëve më të mirë, i cili e luante rolin e Babadimrit në atë mënyrë saqë edhe sot e asaj dite të gjithë fëmijët që tashmë janë rritur dhe e kanë kuptuar se kush ishte Babadimri kanë një dashuri dhe respekt të veçantë për atë”, shton Gashi.

Figura e Babadimrit është e shoqëruar me legjenda të shumta në mbarë botën.

Emri dhe pamja e babagjyshit të buzëqeshur faqekuq dhe me mjekër e flokë të bardhë borë ndryshojnë varësisht prej kulturave e besimeve. Porse besohet që nocioni i sotëm për Babadimrin mbështetet në legjendën e Shën Nikollës, figurë kjo e lashtë antike e thurur me legjenda, përralla e mite. Por dëshmi historike mbi Shën Nikollën nuk ka. Legjenda thotë se ai ishte peshkop në Mira të Azisë së Vogël, ku tani ndodhet Turqia, dhe se ndante dhurata për fëmijë.

Pamjen sesi ai njihet sot, bazuar në shkrimet e shumta në internet, besohet se ia ka dhënë shkrimtari amerikan Thomas Nast, i njohur si “babai i karikaturës”. Ai thuhet të ishte i pari që e vizatoi karikaturën e Babadimit me trajtat e së sotmes. E emri i ndryshon prej vendit në vend.

*Falas