Arbëri

Mbi 1 mijë e 700 të burgosur në qendrat korrektuese, shumica të dënuar

Ali Gashi nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), ka deklaruar se në të gjitha qendrat aktualisht janë 1.738 të burgosur, 1.116 prej tyre të dënuar e 622 në paraburgim. Ai deklaroi se një pjesë e tyre kanë dorëzuar dokumentacionin për faljen nga presidentja e vendit dhe Komisioni për Vlerësim.

“Gjendja sa i përket të burgosurve është stabile, stafi korrektues e civil është duke e menaxhuar gjendjen. Kemi bërë një mobilizim sa i përket sigurisë në vend. Edhe këtë fundvit do ta përfundojmë mirë me një gjendje stabile sa i përket të burgosurve që janë vendosur. Është një pjesë e konsiderueshme që e meritojnë faljen. I kemi bërë të gjitha përgatitjet e dokumentacionin e kompletuar për falje, e kemi adresuar atë në zyrën e presidentes”, deklaroi Gashi.

Ai tha për KTV-në se ka të dënuar të natyrave të ndryshme, derisa komisioni disiplinor ka bërë vlerësimin e kërkesave të tyre për falje të dënimit.

“Jemi në pritje. Viteve të fundit nuk kemi pasur falje të theksuara”, shtoi tutje.

Zyrtari i SHKK-së tha se krahas sigurisë, janë duke u marrë edhe aktivitete të tjera që lidhen me programet rehabilituese.

“Kemi disa programe, një prej tyre është procesi mësimor që zhvillohet në qendra korrektuese. Gjithsej kemi 75 nxënës, 51 janë në Dubravë, e në Lipjan 24. Mësimi zhvillohet normalisht në bazë të kalendarit shkollor që e aprovon MASHTI dhe personeli arsimorë është i angazhuar. Mësimi zhvillohet për procesin fillor të ulët dhe shkolla të mesme profesionale, prej klasës së 6 deri n9, në Lipjan, aty kemi edhe shkollimin e mesëm ku bëhet aftësimi profesional. Në Dubravë kemi aftësimin profesional”, shtoi Gashi.

Ai përmendi se ka interesim të madh të të burgosurve që të përgatiten në ndonjë drejtim të caktuar profesional.