Arbëri

Sipas D4D-së, zgjedhjet u përshkruan me dezinformata, gjuhë të urrejtjes dhe seksiste

Blerinë Ukshini nga D4D ka thënë se gjatë zgjedhjeve lokale në Kosovë ka pasur numër të madh të lajmeve me çrregullim të informacionit, përveç dezinformimit, edhe nxitje e urrejtjes, përdorim i gjuhës seksiste dhe gjuhës së ekzagjeruar që kanë qëllim keqinformimin.

Në Interaktiv të KTV-së, Ukshini ka thënë se nga 4237 artikuj, 180 kanë qenë me çrregullim të informacionit. Ndërsa, D4D ka monitoruar artikujt në media, faqet e kandidatëve dhe komentet e qytetarëve gjatë përiudhës së zgjedhjeve lokale, Ukshini ka kërkuar ndaljen e dezinformatave dhe verifikimin e lajmeve para publikimit.

“Ka pasur një miks të informatave, kemi pa që ka qenë nxitje apo ndasi të partive politike, është përdorur gjuha seksiste ndaj grave dhe ka pasur promovim të ndikimit nga jashtë, kjo është vërejtur sidomos nga mostra në gjuhën serbe, për shkak se kemi monitoruar portale që operojnë në Beograd dhe Bosnjë”.

Ajo ka thënë se artikujt në gjuhën serbe kanë qenë ata ku është vërejtur më shumë gjuha e urrejtjes dhe thirrje për votim të një subjekti politik, se sa që është bërë në ato në gjuhën shqipe.

“Në të gjithë artikujt që i kemi gjetur si të çrregullt kanë qenë titujt e ekzagjeruar që i çon qytetarët që t’i lexojnë. Në gjuhën shqipe nuk ka pasur shumë ndikime nga jashtë, janë lidhur me nivelin qendror por jo direkt me zgjedhjet lokale. Në gjuhën serbe kanë qenë artikuj që kanë nxitur gjuhë të urrejtjes dhe ndasi etnike sa i përket rasteve në veri. Ka pasur rritje për votim më të madh të Listës Serbe se sa për partitë tjera politike”.

Ajo shtoi se shpesh artikujt e sponsorizuar janë përdorur për të ndikuar për një akter të caktuar.

“Ka pasur artikuj të sponsorizuar e që shumë herë nuk ka figuruar si i tillë për ndonjë kandidat dhe kjo ka qenë tendenca për të ndikuar te qytetari. Lexueshmëria e lartë e këtyre artikujve tregon se mund të ketë pasur ndikim në zgjedhjet”.

Ukshini tha se nga monitorimi i faqeve të subjekteve politike është vërejtur se ka pasur promovim të ndasive politike dhe kampanja që më shumë kanë qenë të orientuara në atë formë që të fitojë elektorati jo me anë të programit por duke përmendur kandidatët. Teksa tha edhe shembuj të artikujve dezinformues.

“Ndasitë politika janë vërejtur edhe nga vetë artikujt që janë shpërndarë. Shembull. Një në komunën e Prizrenit që kohë të zgjedhjeve lokale ka qenë billbordi në komunë ku ka qenë nga portalet i publikuar vetëm fotoja e Albin Kurtit dhe është thënë se Haskuka po bën fushatë me të, por ka qenë titull i ekzagjeruar dhe devijim i informatës sepse në billbord ka qenë edhe Haskuka por portalet nuk e kanë postuar atë pjesë. Një artikull për Përparim Ramën që ka arritur shikueshmëri afër 2 milionë, por që më pas është larguar. Ka qenë artikulli që 'Rama pasi dështoi të merrte projektin me Badovcin, betohet ta fitojë Prishtinën me mbështetje të Sami Lushtakut'”.

Ukshini theksoi se komentet për kandidatë të caktuar nuk kanë ndikuar në sigurinë fizike të tyre, por se thotë se nuk është e sigurt nëse nuk kanë ndikuar për rezultatin zgjedhor. Ajo ka përmendur se ish-kandidatja për Gjakovën ka marrë shumë komente nga qytetarët të cilat kanë pasur përmbajtje seksiste dhe gjuhës së urrejtjes.