Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka përshëndetur aksionin e Policisë për vazhdimin e rastit “Subvencionet”. Të premten për subvencionet në bujqësi u arrestuan edhe 31 persona, përfshirë zyrtarë të shtetit.
Në një reagim në Facebook, Peci ka thënë se buxheti i Kosovës duhet të jepet vetëm te fermerët që e meritojnë.
“Paratë e taksapaguesve të qytetarëve të Republikës së Kosovës duhet të destinohem vetëm në adresa meritore, në këtë rast vetëm tek fermerët meritorë. Këto arrestime janë në vazhdën e arrestimeve të mëhershme të muajit shkurt dhe qershorit të këtij viti. Bashkëpunimi me organet e drejtësisë për t’i dhënë epilog të gjitha keqpërdorimeve dhe abuzimeve të parasë publike në Institucionet e Republikës së Kosovës nuk ka alternativ, është imperativ i kohës”, ka thënë ai.
Afera e subvencioneve është kthyer në aferën më të madhe të korrupsionit për sa i përket numrit të të dyshuarve. Afera “Stenta” ka pasur në fillim 64 të akuzuar, dy prej të cilëve kanë ndërruar jetë. Nëse llogariten edhe dy aksionet paraprake, numri i të arrestuarve në aferën e subvencioneve ka arritur në 74 persona.