Arbëri

“Subvencionet”: Ryshfet për bimë organike dhe grurë që s’u mboll kurrë

Ka vazhduar të premten aksioni në aferën e njohur si “Subvencionet në Bujqësi”. Policia në koordinim me Prokurorinë Speciale ka arrestuar 31 persona. Nga ky numër, 12 persona janë zyrtarë, e pozitat e tyre sipas burimeve janë inspektorë regjionale si dhe zyrtarë të drejtorive të bujqësisë, e të Agjencisë së Pyjeve. Sipas hetuesisë, ryshfeti dyshohet se është dhënë në dy faza - atë të aplikimit dhe të implementimit

31 persona - zyrtarë e përfitues janë arrestuar të premten në lokacione të ndryshme të Kosovës, nën dyshimet për mashtrim, falsifikim, marrje e dhënie ryshfeti në shpërndarjen e subvencioneve të bujqësisë.

Ky aksion është vazhdimësi e dy aksioneve të realizuara gjatë këtij viti, po për këtë aferë.

KOHA nga burime brenda hetuesisë ka mësuar se bëhet fjalë për shuma të ndryshme ryshfeti që janë dhënë me qëllim që personat e caktuar të jenë përfitues të subvencioneve.

Nga të arrestuarit e ditës së premte, 12 persona janë zyrtarë, e pozitat e tyre sipas burimeve janë zyrtarë të drejtorive të bujqësisë, inspektorë regjionalë, si dhe zyrtarë të Agjencisë së Pyjeve.

Sipas hetuesisë, ryshfeti në këto raste është dhënë në dy faza, gjatë aplikimit dhe gjatë implementimit.

Në Istog është subvencionuar mbjellja e grurit në zona malore, pa u mbjell fare, e njëjtë ka ndodhur edhe me bimët organike.

Sipas pretendimeve të para të hetuesisë, ndonëse personat nuk i plotësonin kushtet për subvencione, aplikimet e tyre aprovoheshin, e më pas kur duhej të kontrollohej nëse po implementoheshin zyrtarët përpilonin raporte të rreme.

Burimet e KOHËS kanë thënë se ka raste që të tilla abuzime këtë zyrtarë i kanë bërë edhe për interesa familjare.

Prokuroria Speciale përmes një komunikate për media zyrtarisht nuk kanë dhënë shumë detaje.

“Prokuroria Speciale njofton se nga ky aksion janë ndaluar dhe intervistuar gjithsej tridhjetenjë (31) persona, prej tyre dymbëdhjetë (12) zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencisë Zhvillimore të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK-së. Ndërkaq, aksioni është zhvilluar në komunat: Pejë, Istog, Prishtinë, Kllokot, Vushtrri dhe Podujevë”, thuhet në komunikatë.

Afera e subvencioneve është kthyer në aferën më të madhe të korrupsionit për sa i përket numrit të të dyshuarve. Afera “Stenta” ka pasur në fillim 64 të akuzuar, dy prej të cilëve kanë ndërruar jetë.

Nëse llogariten edhe dy aksionet paraprake, numri i të arrestuarve në aferën e subvencioneve ka arritur në 74 persona.