2 perditesime
23:37

Kadriu: Kosova duhet ta kërkojë rikthimin e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në trungun e saj

Kryetari i Lëvizjes Qytetare “Vatra”, Kushtrim Kadriu, ka folur për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Medvegjë e Bujanoc.

Ai ka thënë se nga spektri politik në Kosovë e Shqipëri nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.

“Nuk është ngritur kurrë kjo çështje në bisedime Kosovë – Serbi në Bruksel. Nuk jemi ndihmuar fare në këtë relacion. Me iniciativa personale, private e shoqata, kemi grumbulluar dosje, me z. Muharrem Salihu nga Medvegja, kemi mbushur një formular në Gjilan e përmes tij e kemi dërguar në Parlamentin Evropian dhe Komitetin e Helsinkit, ku është dal me një raport pas pak ditëve. Komiteti i Helsinkit ka thënë se e njeh diskriminimin administrativ që po i bëhet shqiptarëve në Kosovë Lindore nga regjimi serb. Institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë marrë direkt me këtë rast, e nuk kemi pasur përkrahje në çfarëdo forme”, ka thënë Kadriu në Interaktiv të KTV-së.

Kadriu ka thënë se kanë kërkuar vazhdimisht që të përfshihet në bisedime çështja e pazgjidhur e shqiptarëve të Kosovës Lindore. Ai insiston se duhet të jetë kërkesë bazike e Kosovës kthimi i tri komunave në trungun e saj.

“Bujanoci, Presheva e Medvegja gjithmonë kanë qenë pjesë e Kosovës, botërisht njihet kjo dhe faktikisht. Kur në vitet e 50-ta me shkëmbime territoriale që bëri Jugosllavia, këto komuna u shpërndan dhe mbetën nën juridiksionin e Republikës së Serbisë. Shembull në fshatin ku ka lindur babai im e gjyshi im, kemi parcela kadastrale që kanë qenë në Komunën e Kamenicës. Janë gjëra faktike, nuk është histori e para 200 a 500 vjet, por e para 50 e 60 gjet. Këtë padrejtësi duhet ta përmirësojë Kosova apo duhet ta kërkojë në relacion me Serbinë, kthimin e këtyre komunave. Tri qytete të Kosovës kanë shkuar në Serbi dhe janë në Serbi. Duhet kërkuar kthimi i tyre gjithmonë. Duhet luftuar që të bashkëngjiten këto tri komuna në Kosovë, nëse nuk ndodh kjo atëherë qytetarët në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë, kurrë nuk do të kenë rahatllak. Shqiptarët nuk mund të pranojnë gjithmonë të jetojnë nën rrobëri dhe me probleme që shkakton Serbia çdo muaj”, tha Kadriu.

Sa i përket pasivizimit të adresave ai ka thënë se nduhet ndalur kjo.

“Gjer në vitin 2000 Medvegja ishte me shumicë shqiptare, tash kemi vetëm 403 banorë. Bujanoci është me një shumicë solide shqiptare, por me pasivizimin e adresave që po bën Serbia çdo ditë, nuk do të jetë kohë e largët kur Bujanoci do të kalojë në duar të serbëve. Pasi serbët atje pak migrojnë, e shqiptarët e Kosovës Lindore migrojnë në Perëndim apo vijnë në Kosovë të jetojnë. Duhet intervenuar, e të veprojë faktori politik shqiptar në Kosovë e Shqipëri”, tha Kadriu.

Sa i përket angazhimit të Shqipërisë ai ka thënë se ka ndihmuar në aspekte kulturore e edukative, por jo edhe në atë politik.

Ai ka treguar se Shqipëria luan më tepër rolin e një sanuesi kur ka probleme atje.

Kadriu ka përmendur edhe çështjen e pasivizimit të dokumenteve.

“Kemi shembull eklatant të pasivizimit të dokumenteve që bën Serbia. E bënë në një formë shumë interesante, i shpall të humbura pasaportat e shqiptarëve të Kosovës Lindore. Në këtë rast këto pasaporta nuk janë të humbura, por të banorëve të Kosovës Lindore që jetojnë në Gjilan apo vende tjera të Kosovës. Serbia i fut ato në Interpol. E pastaj kemi raste kur këto pasaporta kalojnë kufirin nëpër vende të ndryshme konfiskohen. Nuk është befasi kjo, pasi ato shtete nuk e dinë rrethanën. Por këto konfiskohen edhe në Shqipëri dhe kthehen në Beograd. Kemi reaguar në Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë e po ashtu atë në Beograd. Kemi alarmuar për këto telashe por nuk është ndërmarrë asgjë”, ka thënë Kadriu.


Kadriu: Në Luginë afro 18 mijë shqiptarë po presin termine për viza pune në Gjermani

Kryetari i Lëvizjes Qytetare “Vatra”, Kushtrim Kadriu, ka qenë kritikë ndaj politikanëve kosovarë për punën e pakët që kanë bërë për Preshevën, Medvegjën e Bujanocin. Ai ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se në vitin 2010 sa ishte deputet kishte premtuar krijimin e një ministrie për shqiptarët e Kosovës Lindore, por se po bën shumë pak.

Kadriu ka thënë se sfidë për Luginën është mbajtja e rinisë brenda.

“Një fakt interesant është, e që kam marrë nga agjencitë e punës që krijojnë viza pune për Gjermani. Në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë, 18 mijë veta po presin termine për të ikur. Janë 70 mijë banorë, e 18 mijë kur shkojnë, atëherë Bujanoci bjen në duar të serbëve. Më nuk flasim për Preshevë e Bujanoc më bisedime në Bruksel, pasi për Medvegjë po flasim pak pasi janë 403 shqiptarë e afro 3000 serbë ndoshta. Në këtë rast do të flasim për Preshevën që do të jetë minore. Njerëzit po ikin, duhet investuar shumë më tepër që këta njerëz të rrinë apo të kthehen edhe ata që kanë ikur”, ka thënë Kadriu.

Ai ka thënë se Kosova nuk po e luan rolin e nënës karshi shqiptarëve në Kosovë Lindore.

“Në Kosovë një serbi t’i ndodhë ndonjë gjë banale, shembull të goditet nga ndonjë gotë, do të bëhet temë në OKB. E në Preshevë në vitin 2018 aeroplanët MIG fluturonin 50 metra mbi shtëpitë e shqiptarëve, nuk reagonte askush. Është problem të ndjehesh i sigurt kur je jetim. Kosova nuk po luan rolin e nënës karshi shqiptarëve të Kosovës Lindore. E çështja e shqiptarëve të Kosovës Lindore gjithmonë fatkeqësisht është përdorur politikisht nga politikanët e Kosovës”, ka thënë Kadriu.
 

23:20

Kadriu: Qytetarëve të Luginës t’u njihet statusi i refugjatit

Kryetari i Lëvizjes Qytetare “Vatra”, Kushtrim Kadriu, ka thënë se për 22 vjet janë përballur me përgjigje të njëjtë nga autoritetet e Kosovës, se nuk mund t'u japin dokumente shqiptarëve të Luginës.

Kadriu në Interaktiv të KTV-së ka thënë se nëse drafti i një koncept-dokumenti, i cili sugjeron ndryshime në Ligjin mbi shtetësinë, me qëllimin që qytetarët e Luginës ta kenë më të lehtë marrjen e shtetësisë, bëhet, atëherë do të kontribuoj në lehtësimin e jetës së tyre.

Por, sa i përket kësaj, Kadriu thotë se dyshon në sjelljen e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçlës,

“Dyshojmë në sjelljen e ministrit Sveçla pasi në mars e takuam. I ofruam resurset tona nga dosjet që i kemi krijuar. Nuk kanë marrë dosjet, kanë marrë shembuj të refuzimit dhe nga ajo kohë nuk jemi kontaktuar. Mund t’i jepnim shumë sugjerime, dosje, praktika që na kanë ndodhur, t’i tregonim si do të ishte më mirë. Nëse del edhe tani një ligj jofunksional në terren apo në drejtim me qytetarë, atëherë vetëm e humbim një rast dhe ku e di kur vjen një rast tjetër”.

Kadriu u shpreh se për 10 ditë kohë sa u ka mbetur për t’i dërguar propozimet, ata do të mundohen ta bëjnë këtë edhe pse tha se që pas marsit e kanë pasur “gati të pamundur që edhe të takohemi me zyrtarë të MPB-së”.

Ndërkaq, ka treguar edhe propozimet që kanë.

“Duhet tu njihet qytetarëve qëndrimi në Kosovë, duhet tu njihet statuti i refugjatit. Kur tu njihej statuti refugjat duhet të jetë pika bazë e pas kësaj duhet tu njihej qëndrueshmëria në Kosovë, jeta që kanë bërë në Kosovë”, ka thënë ai.

23:11

Kadriu: Banorët e Luginës pa shtetësi, si asnjë në botë

Kushtrim Kadriu, kryetar i lëvizjes Vatra që merret me problematikën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, e ka quajtur hap pozitiv finalizimin e një koncept-dokumenti, i cili sugjeron ndryshime në Ligjin mbi shtetësinë, me qëllimin që qytetarët e Luginës ta kenë më të lehtë marrjen e shtetësisë.

Kadriu në një intervistë në Interaktiv të KTV-së tha se qytetarët në Luginë të Preshevës, nga disa pjesë në veçanti, janë të vetmit në botë që s’kanë shtetësi.

“Kjo problematikë është tash e 22 vjet. Banorët e Malësisë së Bujanovcit janë dëbuar më 1999, por edhe nga Medvegja dhe Karadaku i Preshevës”, ka thënë ai. “Kanë qytetarë pa shtetësi. Pastaj regjimi serb nga viti 2012 ka vendosur politikën e spastrimit etnik, duke ua marrë pasaportën dhe duke ua pasivizuar adresat”.

Kadriu e vlerëson nismën e Qeverisë Kurti për të hartuar ligj për shqiptarët e Luginës, por ka shprehur dyshimet e tij, se që në nismë po gabohet.

Ai tha se askush nga Lugina nuk është ftuar të jetë në komisionin për hartimin e akteve nënligjore.

“Do të duhej të ishte dikush, sidomos nga Vatra, pasi informatat që mund të ofrojmë ne nuk i ka askush”, tha ai.

Sipas tij, banorët e Luginës që jetojnë në Kosovë nuk gëzojnë shumëçka elementare.

“Ka prekur të gjitha sferat, njerëzit kanë zhvilluar jetën, punën, por në fund nuk kanë mundur të gëzojnë as pensionin. Shumë njerëz nuk mund të marrin as shërbime mjekësore, nuk mundë të shkollohen në sistemin universitar, e ka raste as të mos mund të lidhin kurora të martesës. Nga viti 1999, prej kur ekziston lëvizja Vatra, çdo qeverie ia kemi adresuar kërkesat se si duhet me u ndryshu ligji, kemi bërë kërkesa, peticione e protesta, por s’kemi marrë kur një ofertë serioze”, ka thënë Kadriu.