Kthimi i bllok-tarifave shihet si zgjidhje për krizën energjetike
Bllok-tarifa ishte në funksion deri në vitin 2017. Ajo parashihte që kur një familje shpenzonte më shumë se 600kV energji në muaj, çmimi ishte më i lartë në krahasim me familjet që shpenzonin nën 600 dhe nën 300 kV në muaj
Distributori i energjisë elektrike ka vazhduar t’u bëjë thirrje qytetarëve për kursim të energjisë elektrike, shkaku i çmimit të lartë të energjisë së importuar. Sipas KEDS-it, këto çmime janë pesëfish më të larta sesa është planifikuar në tarifa. Ndërkohë, nga shoqëria civile propozojnë rikthimin e bllok-tarifave
Prishtinë, 28 nëntor - Importi i energjisë elektrike me çmim pesëfish më të shtrenjtë ka alarmuar KEDS-in, i cili pothuajse çdo ditë u ka bërë apel qytetarëve që të kursejnë rrymë.
Nëpërmjet kërkesës për kursim, ka njoftuar edhe për çmimet e energjisë që importon, duke paralajmëruar se pas muajit prill fatura e energjisë mund të jetë rreth 30 për qind më e shtrenjtë.
Dardan Abazi, hulumtues në INDEP, thotë se nëse do të ketë rritje të çmimit, kjo do t’i prekë më së shumti shtresat e varfra. Për këtë ai ka propozuar që të kthehet bllok-tarifa.
Vlerësimet se a do të ketë rritje, sipas tij, do të kuptohen pas marsit apo prillit.
“Është ende herët të flasim për rritje të çmimit. Duhet parë që kjo rritje e importit do të vazhdojë edhe në muajt në vijim, kur do të përfundojë periudha e dimrit. Por, nëse do të ketë rritje natyrisht se do të prek shtresat më të varfra të popullatës të cilat nuk do të mund të përballojnë një rritje tjetër të energjisë elektrike”, ka thënë ai.
Sipas tij, duhet insistuar që të trajtohet energjia elektrike si një e drejtë, por edhe si një luks.
“Në rastet kur harxhojmë më tepër të paguhet një çmim më i shtrenjtë, e në rastet që nuk shpenzohet më tepër se një sasi e caktuar e cila është e domosdoshme për jetën e një familje, të paguhet më lirë”, ka thënë ai.
Ka thënë se do të dalin me një hulumtim ku do të rekomandojnë kthimin e bllok-tarifave.
“Do të propozojmë rikthimin e tarifave në një sistem i cili do të plotësojë këtë shtrenjtim që do të ndodhë si rrjedhojë e importit, por edhe nuk do të shtrenjtojë rrymën për një pjesë të familjeve që nuk mund të përballojnë dhe që do të kalojnë në një varfëri energjetike”, ka theksuar Abazi.
Bllok-tarifa ishte në funksion deri në vitin 2017. Ajo parashihte që kur një familje shpenzonte më shumë se 600 kWh energji në muaj, çmimi ishte më i lartë në krahasim me familjet që shpenzonin nën 600 dhe nën 300 kWh në muaj.
INDEP kishte kundërshtuar heqjen e bllok-tarifave gjatë kohës sa ishte në diskutim publik.
“Heqja e tarifave sezonale dhe e atyre të blloqeve është ndryshim tejet i madh që ndikon edhe në xhepin e konsumatorëve, por edhe në sjelljen e tyre karshi shpenzimit të energjisë elektrike. Rrjedhimisht, një ndryshim i tillë duhet të shoqërohet me diskutim më të gjerë dhe analizë më të qartë të kostove. Eliminimi i tarifave sezonale në kohën që po hyjmë në sezonin e ultë veror dëmton edhe konsumatorët familjarë e edhe ata biznesorë”, thuhet në një analizë që kishte publikuar INDEP-i në mars të vitit 2017.
ZRRE-ja, sipas INDEP-së, nuk është treguar e sinqertë që të tregojë se kategoritë e varfra të shoqërisë do të pësojnë më së shumti nga ndryshimi i tarifave.
“Edhe pse përbëjnë 81% të konsumit familjar, konsumatorët që harxhojnë më pak se 600 kwh do të paguajnë diferencën e atyre që shpenzojnë mbi 600 kWh. Kjo skemë e re është inkurajuese për konsumin e dekurajuese për efiçiencën e energjisë. Eliminimi i tarifave sezonale vjen me rrezikun për rritje më të madhe të konsumit në periudhën dimërore që ka si rrjedhojë rrezikun për import të energjisë me çmime të larta”, thuhet në atë analizë.
Sipas INDEP-it, ulja e tarifës fikse për konsumatorët familjarë si një taksë shërbimi është shoqëruar me rritje të çmimit të rrymës si produkt.
“Kur kemi parasysh që skema e re favorizon konsumin në vend të kursimit, sasia që do të inkasohet do të jetë edhe më e madhe. Edhe pse ne kemi qenë për ulje të tarifës fikse, sepse është e pakuptimtë që të mblidhen 13 milionë euro në vit për kryerje të një shërbimi (energjisë elektrike) të cilin prapë e paguajmë, ne jemi kundër që të hyrat e përgjithshme pastaj të balancohen duke rritur çmimin e energjisë”, theksohet në analizë.
Ndërkohë, pas krizës energjetike që ka kapluar Evropën gjatë tetorit dhe nëntorit, KEDS-i ka bërë të ditur se rryma është pesë herë me e shtrenjtë sesa ajo që është e planifikuar në tarifa.
Rritja e çmimit të rrymës, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, duket se do të jetë e pashmangshme.
“Në reflektimin tarifor të vitit të ardhshëm me gjasë është e pashmangshme rritja e energjisë elektrike dhe kjo normalisht që krijon ndikim sidomos te prodhuesit të cilët do të kenë rritje të kostos së prodhimit dhe rrjedhimisht do të jenë edhe më pak konkurrues”, ka theksuar Rukiqi.
Ai thotë se pavarësisht thirrjeve për kursim dhe për të qenë më efiçientë, kjo gjë nuk është lehtë e arritshme.
KEDS-i ka bërë të ditur se vetëm më 24 nëntor është importuar rrymë në vlerë prej 657 mijë e 311 euro.
Krahasuar me vitin e kaluar, ky çmim, sipas KEDS-it, ka qenë shtatë fish më i lartë.
Ka paralajmëruar gjithashtu se me rënien e temperaturave do të ketë kërkesa për rritjen e importit, gjë që, siç ka thënë, është shqetësuese për faktin se çmimi i importit është pesëfishuar.