1 perditesime
09:19

Kurti: 28 Nëntori, datë themelore e identitetit kombëtar shqiptar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se 28 Nëntori është një datë themelore e identitetit kombëtar shqiptar, që lidhet me ngjarjet më të rëndësishme historike të popullit shqiptar.

Kurti këtë deklaratë e ka bërë gjatë homazheve që bashkë me presidenten, Vjosa Osmani, kanë kryer sot në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, për nder të 28 Nëntorit- Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

“28 Nëntori është një datë themelore e identiteti kombëtar shqiptar, e që lidhet me ngjarjet më të rëndësishme historike tonat, prej Skënderbeut në Krujë, te Ismail Qemali në Vlorë, të Adem Jasshari në Prekaz”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, kjo ditë nuk është vetëm ditë e gëzimit dhe krenarisë, por edhe e përgjegjësisë për të krijuar një jetë më të mirë për shqiptarët.

“Kjo është një dite që na mbush me gëzim, krenari dhe përgjegjësi për shkak se detyrat para nesh për ta ngritur mirëqënien e qytetarëve tanë, për të zhvilluar vendin tonë, për të shtuar demokracinë në Republikën tonë, janë më të rëndësishme se kurrë më parë, dhe ne bëjmë gjithçka që dimë dhe mundemi të jemi në nivel të kësaj detyre, që e vazhdon në paqe punën dhe luftën e madhe të atyre që e bënë në kohëra shumë më të vështira se kjo e jona. Përkulemi dhe nderojmë ata që sakrifikuan e u flijuan për liri, për pavarësi e për bashkim”, është shprehur Kurti.

Kurti e Osmani kanë bërë homazhe edhe te shtatorja e Ismail Qemalit në Prishtinë e te ajo e Zahir Pajazitit në sheshin në Prishtinë. 


Bekim Jashari uron për 28 nëntorin: Qofshim të bashkuar

Kryetari në largim i Skenderajt, Bekim Jashari, ka uruar festën e 28 nëntorit nga kompleksi memorial “Adem Jashari”, ndërsa ka përçuar mesazh bashkimi.

Jashari, nipi i komandantit legjendar Adem Jashari dhe i biri i Hamzë Jasharit, ka thënë se ky muaj është muaj i sakrificës, lavdisë, e kthesës së shqiptarëve ndër shekuj.

“Është obligim institucional e moral për ne të gjithë që të jemi afër me njëri-tjetrin, më të dashur mes vete, e gjithë bashkërisht të ndërtojmë e zhvillojmë këtë vend siç është më së miri, siç deshëm dëshmorët, e siç e duam edhe ne për fëmijët tanë. Urime edhe njëherë festa, qofshim të bashkuar”, tha Jashari.


Osmani e Kurti bëjnë homazhe edhe te varri i Rugovës dhe Demaçit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, nderuan me homazhe edhe presidentin historik Ibrahim Rugova dhe ish-të burgosurin politik Adem Demaçi, në 109-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. 

09:17

Osmani uron për 28 Nëntor: Shpresoj që e ardhme e ndritur t’i presë Shqipërinë e Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në përcjellje të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në përvjetorin e 109-të të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

“Jemi këtu sot më 28 Nëntor për të nderuar sakrificën e brezave të shumtë, që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912, por vazhdoi me shumë e shumë sakrifica të shqiptarëve gjithandej për liri. Prandaj sot e filluam ditën te komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari, për të nderuar sakrificën e tyre. 28 Nëntori përveç simbolikës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe rëndësisë historike të ngritjes së flamurit, është datë edhe kur ka lindur komandanti legjendar Adem Jashari, po ashtu datë kur ka dalë për herë të parë publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Të gjitha këto i japin kuptim shumë më të madh festave të nëntorit. Duke nderuar sakrificën e gjithë atyre që dhanë jetën e mundin për lirinë tonë, dua që sot t’i uroj gjithë shqiptarët gjithandej për këtë festë të rëndësishme tonën, për këtë festë të rëndësishme të përbashkët, duke shpresuar që një e ardhme e ndritur do e pret Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës”, ka thënë Osmani.