(KosovaPress) - Para tre javësh, gjeneralmajori i Ushtrisë Hungareze, Ferenc Kajari, mori detyrën si Komandant i KFOR-it.
Në një intervistë ekskluzive për KosovaPress, Kajari thotë se situata aktuale në përgjithësi është stabile dhe KFOR-i vazhdon të zbatojë në baza ditore mandatin e tij.
Ai thotë se mirëpriten marrëveshjen e fundit në Bruksel që zgjodhi situatën në veri që ndodhi pas vendosjes së masës së reciprocitetit për targat. Gjithashtu, shton se mbështesin me vendosmëri dialogun dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Aktualisht, KFOR-i përbëhet nga më shumë se 3700 trupa nga 20 anëtarë të NATO-s dhe 8 partnerë. Për gjeneralmajor Kajar kjo ilustron qartë angazhimin e palëkundur dhe kolektiv të NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Ai shton se për momentin NATO nuk ka plan për të ndryshuar apo reduktuar misionin e KFOR-it në Kosovë.
Kajari thotë se KFOR-i ka një bashkëpunim të gjatë dhe të shkëlqyer me Forcën e Sigurisë së Kosovës, në të gjitha nivelet e përgjegjësisë.
“KFOR-i ka një bashkëpunim të shkëlqyeshëm të përditshëm me institucionet në Kosovë dhe unë po planifikoj ta mbaj atë gjatë gjithë mandatit tim. Vlera e shtuar e KFOR-it qëndron në fund të fundit në paanshmërinë e tij dhe në fokusin e tij në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij që rrjedh nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara 1244 i vitit 1999. Ky është çelësi për sigurinë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe për stabilitetin në mbarë rajonin. Natyrisht, ne jemi duke monitoruar nga afër situatën dhe kemi një prani të dukshme, të fuqishme dhe të shkathët në terren, në mbarë Kosovën. Situata aktuale në përgjithësi është stabile dhe KFOR-i vazhdon të zbatojë në baza ditore mandatin e tij që sapo e përshkrova, për të kontribuar për një mjedis të sigurt, si dhe për të kontribuar në lirinë e lëvizjes në Kosovë, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë këtu. Ne mirëpritëm marrëveshjen për de-eskalimin dhe rrugën përpara në Kosovën veriore të arritur ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, nën kujdesin e dialogut Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja. Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO luajti një rol kyç dhe të përkohshëm për të siguruar zbatimin efektiv të tij, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. NATO vazhdon të mbështesë me vendosmëri Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është e vetmja rrugë drejt arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme politike për rajonin dhe është çelësi i stabilitetit për të gjithë rajonin”, tha Kajari.