Arbëri

SHBA-ja konfirmon se Kosova u la jashtë Samitit për Demokraci

Ambasada e Amerikës në Kosovë ka konfirmuar se Kosova nuk është ftuar në Samitin për Demokraci, që do të mbahet për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të premten, mediumi prestigjioz amerikan “Politico” publikoi listën e 100 shteteve pjesëmarrëse në këtë samit. Aty nuk figuroi Kosova. Tash Ambasada e Amerikës në Kosovë ka dhënë arsyet se përse Kosova është lënë jashtë këtij samiti.

“Samiti për Demokraci i Presidentit është një nga shumë nismat amerikane e fokusuar në avancimin e demokracisë, luftimit të korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës. Jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, kjo ambasadë ka thënë se SHBA-ja është partnere e palëkundur e Kosovës në ndërtim të demokracisë.

“Sikur e ka spikatur edhe presidenti Biden në videoadresimin e tij të gushtit, Kosova ka shënuar ‘progres të jashtëzakonshëm gjatë 20 viteve të fundit’ në ndërtimin e një demokracike multietnike dhe të qëndrueshme. Si partnere e palëkundur e Kosovës, SHBA-ja mbetet e përkushtuar që të punojë me Kosovën në forumet tjera për të avancuar dhe fuqizuar demokracinë, parandaluar rrëshqitjen demokratike, promovuar respektimin e të drejtave të njeriut, dhe për të luftuar korrupsionin, me qëllim që bashkë të dëshmojmë se demokracitë angazhohen për nevojat e qytetarëve të tyre”, thuhet më tej në reagim.

Presidenti amerikan Joe Biden do të jetë nikoqir i këtij Samiti virtual më 9 dhe 10 dhjetor. Pjesëmarrës do të jenë udhëheqës të qeverive, shoqërisë civile dhe sektorit privat, ku diskutimi do të fokusohet në sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet demokracia dhe do të ofrojë një platformë ku udhëheqësit angazhohen, individualisht ose kolektivisht, për të mbrojtur demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Agjenda e këtij Samiti është ende konfidenciale, pasi ekipi i Bidenit është duke punuar për të formësuar atë. Lista zyrtare ende nuk është bërë e ditur, por mediumi “Politico” ka siguruar listën përmes burimeve të saja.

Në këtë listë, përveç Kosovës, nuk është ftuar as Serbia dhe Bosnja & Hercegovina nga rajoni. Ndërkohë, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë ftesë.

Qeveria e Kosovës ka qëndruar e heshtur deri tash për këtë çështje.