3 perditesime
21:20

Haxhiu thotë se BE-ja e përkrah vetingun në sistemin e drejtësisë në Kosovë

Përkundër që Raporti i Progresit i Komisionit Evropian nuk e shprehu përkrahjen evropiane për vetingun në sistemin e drejtësisë në Kosovë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se tash kërkesë e Bashkimit Evropian është që të bëhet vetingu e madje ka thënë se është kërkuar që kjo të bëhet edhe për Gjykatën Kushtetuese.

Në Deskun e KOHËS, duke iu përgjigjur Ehat Miftarajt të Institutit të Kosovës për Drejtësi që u shpreh se partnerët ndërkombëtarë të Kosovës nuk e përkrahin këtë proces, Haxhiu ka thënë se “nuk qëndron ajo që është thënë në Raport të Progresit”.

“Kemi argumentuar nevojën për të pasur veting. Është kërkesë shoqërore. Mandati im s’është të bind ambasadorët pse diçka është e drejtë. Nëse ne konsiderojmë si shoqëri që ka nevojë për veting, duhet të veprojmë në përputhje me zotimet që kemi dhënë para qytetarëve. Ajo që është në Raport’ s’qëndron. Na është kërkuar madje t’i bëhet veting edhe Gjykatës Kushtetuese.

Ajo ka thënë se pret që ligji për veting të bëhet vitin e ardhshëm, por ka shtuar se synimi është të bëhen amendamentet siç duhet.

Në anën tjetër, gazetarja Saranda Ramaj ka thënë se vetingu do të ishte joefikas nëse s’përfshihet edhe Policia në të.

20:49

Ramaj: Ministrja Haxhiu, rasti tipik që tregon se si funksionon gjyqësori

Image

Gazetarja e KOHËS, Saranda Ramaj, ka thënë se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është rasti tipik që tregon se si funksionin sistemi gjyqësor në Kosovë.

Ramaj ka thënë në “DESKU” të KTV-së, se Haxhiu ishte dënuar për vepër penale të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, ndërkaq siç ka thënë, për të njëjtën vepër është liruar kur është bërë ministre e Drejtësisë.

“Vendimet gjyqësore për vepra të njëjta nuk kanë qenë të njëjta, ky është një problem i gjyqësorit. Ju jeni rast tipik se si funksionin gjyqësori, kur nuk keni qenë ministre jeni dënuar kur jeni bërë ministre jeni liruar. Megjithatë nuk po e vë barrën te ju”, i ka thënë Ramaj, ministres Haxhiu.

Ministrja Haxhiu i është kundërpërgjigjur duke thënë se ajo është dënuar për një vepër që nuk e ka kryer, pasi siç është shprehur, asnjëherë nuk kishte hedhur gaz lotsjellës në Kuvend.

Megjithatë, Haxhiu ka thënë se për këto arsye shoqëria civile dhe mediat duhet ta ndihmojnë pushtetin që gjendja të ndryshohet.

“Na ndihmoni ta bëjmë një shtet të së drejtës. Kjo është për çka do të angazhohem çdo ditë. Gjendja aktualisht nuk është normale sepse nëse vazhdohet edhe pak kështu qytetarët po vazhdojnë mos me pas besim në sistemin e gjyqësisë dhe po e lëshojnë vendin”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkohë, gazetarja Ramaj ka kritikuar edhe gjuhën e politikanëve karshi prokurorëve, duke e quajtur atë joadekuate, teksa ka aluduar në deklaratën e zëvendësministrit Blerim Sallahut.

“Gjuha e politikanëve karshi prokurorëve nuk është gjuhë adekuate. Është një situatë paradoksale ku të dy palët kanë nga pak të drejtë. Kush ia jep autoritetin një politikani ta quajë dikë kriminel. Për mua është e rrezikshme që një politikan ta quajë dikë kriminel”, është shprehur Ramaj.

20:32

Miftaraj: Ministria dhe Këshilli Prokurorial po veprojnë gabimisht

Image

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se si Ministria e Drejtësisë ashtu edhe Këshilli Prokurorial janë duke vepruar gabimisht me qasjet e tyre.

Miftaraj thotë se pushteti nuk ka të drejtë t’i kritikojë publikisht institucionet e drejtësisë, ndërsa Këshilli Prokurorial nuk duhet të luajë rolin e inatçorit. Ai shtoi se, megjithatë, nuk ka nevojë për distancim të Qeverisë apo Ministrisë për deklaratën e zëvendësministrit Blerim Sallahut.

“Fatkeqësisht kemi dy anë të medaljes, ku të dy anët po veprojnë gabim. MD-ja duhet ta kuptojë që në bazë të Kushtetutës, në bazë të ligjeve, ministri, zëvendësministri duhet të distancohen nga deklaratat ndaj sistemit gjyqësor apo këshillit prokurorial. Ne e kuptojmë që sistemi prokurorial ka probleme sistematike që kërkojnë intervenime të shpejta. IKD-ja ka zbuluar skandale e skandale në sektorin e drejtësisë, por shoqëria civile e ka mision ta kritikojë si pushtetin ashtu institucionet tjera. Pushteti ekzekutiv apo legjislativ nuk ka të drejtë t’i kritikojë publikisht institucionet e drejtësisë. Këtë nuk e ka sjellë IKD-ja, por këto janë praktika ndërkombëtare që Kosova i ka marrë përsipër. Këshilli Prokurorial nuk ka të drejtë të luajë rolin e inatçorit, që të pret distancim nga Qeveria apo Ministria. Megjithatë, nuk ka nevojë për distancim për këtë deklaratë nga Qeveria apo Ministria sepse pavarësinë e Këshillit Prokurorial nuk mund ta ruajnë as ministrja, as zëvendësministri”, deklaroi Miftaraj në “DESKU” të KTV-së.

20:26

Haxhiu nuk tërhiqet: Sistemi prokurorial po reziston kundër kërkesave për shtetin e së drejtës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk është tërhequr nga përplasja e kësaj ministrie me Këshillin Prokurorial të Kosovës. Ka disa ditë që raportet mes dy institucioneve janë ngrirë. KPK-ja ka shprehur rezerva për bashkëpunimin me MD-në duke kërkuar tërheqjen e deklaratave të zëvendësministrit Blerim Sallahu se ka prokurorë të involvuar në veprimtari kriminale.

E Haxhiu, në emisionin “Desku” në KTV, ka thënë se sistemi prokurorial në vend po reziston kundër kërkesave për shtetin e së drejtës.

“Është hera e parë që kemi raport të ngrirë të sistemit prokurorial me ministrinë e Drejtësisë. Konsideroj se është hera e parë kur Qeveria është në kundërshtim edhe me sistemin prokurorial sepse nëse ne jemi duke u angazhuar maksimalisht për shtetin e së drejtës, në anën tjetër kemi njëfarë rezistence kundër kërkesave të vazhdueshme për shtetin e së drejtës. Si ministri, s’do t’i mbyllim sytë asnjëherë kur shohim skandalet që i shohim brenda institucioneve. Në të kaluarën ka ndodhur që ministrat e drejtësisë i kanë shfrytëzuar këto këshilla si departamente të ministrisë. As ata s’ua kanë prishur ministrave, e as ministrat atyre. Në kuptimin ‘s’të nguci, mos më nguc’. Tash është ndryshe”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka refuzuar të tërhiqet nga qëndrimi i zëvendësministrit duke thënë se “kriminelë mund të ketë në Prokurori, në Qeveri e në të gjitha institucionet”.

“Besoj që jemi dëshmitarë të gjithë që kohët e fundit ka pas skandale të shumta kur është dëshmuar që edhe vetë ata që duhet të ndjekin krimin janë pjesë e krimit”, ka thënë ajo.

Sipas Haxhiut, deklaratat e zëvendësministrit s’janë arsye për pezullim të bashkëpunimit.

“E kanë problemin kryesor me reformat në drejtësi”, ka vazhduar Haxhiu.