Arbëri

Pas shtrenjtimit të miellit, edhe furrtarët rrisin çmimin e bukës për 10 centë

Buka

Për 10 centë është rritur çmimi i bukës nëpër shumicën e furrave në Kosovë. Shkak për këtë, sipas furrtarëve, është rritja e çmimit të miellit. Qytetarët ankohen se kjo po bëhet e papërballueshme për ta. Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar një pako masash në ndihmë të qytetarëve. Ndërsa BSPK-ja kërkon rritjen e pagës minimale

Një bukë 500-gramëshe që deri të hënën ka qenë 40 centë, mëngjesin e së martës është shitur me çmim tjetër, pothuajse në çdo furrë në kryeqytet dhe qytete të tjera të Kosovës. Çmimi i saj është rritur për 5 deri në 10 centë.

Një gjë të tillë thotë se është i detyruar ta bëjë edhe Shefki Berisha, pronar i një furre në kryeqytet. Shkak për këtë, sipas tij, është rritja prej 80 për qind e çmimit të miellit.

“Arsyeja e parë është se çmimi i miellit është rritur për 80 deri në 100 për qind. Ne kemi biseduar që të rrisim çmimin deri në 5 për qind e jo më shumë. Ne kemi menduar për popull që të mos shkojmë në atë ekstrem, kemi pasur rezervë dhe kemi ndier që deri tash të mos e ngremë çmimin, por tash na u kanë sosur rezervat dhe s’kemi se si të mos e rrisim”, ka theksuar ai.

Përveç bukës, në shumicën e furrave është shtrenjtuar edhe byreku, që nga 80 centë tani është 1 euro.

Bashkim Zejnullahu, kryetar i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, thotë se ngritja e çmimit të grurit ka ndikuar në shtrenjtimin e miellit.

“Kërkesa e grurit realisht e përcakton edhe çmimin, ndërsa mungesa e sasive në tregjet botërore ka ndikuar të ngrihen çmimet botërore, që ndikon drejtpërdrejt edhe në tregun tonë sigurisht. Nëse bëjmë krahasim prej vitit të kaluar me çmimin e miellit që ka qenë në treg prej 300-350 eurosh për ton, sivjet kemi një ngritje ose çmimin aktual prej 400-450, që i bie një ngritje e çmimit prej 30 deri 40 për qind”, ka theksuar ai.

Ngritja e çmimeve sipas qytetarëve është bërë pothuajse e papërballueshme.

Lazër Nrecaj, qytetar i Prishtinës, thotë se për pensionistët kjo është më problematike.

“Te pensionistët, çështja e çmimeve është problematikë shumë e madhe, për shkak se fiksimi i pensioneve të tyre kushtëzon dashtë e pa dashtë standardin e tyre. Çështja e çmimeve është e pandalshme, pasi tregu i çmimeve e kërkon, por në kushtet tona, rritja e çmimeve është rënduese për pensionistë”, thotë ai.

Edhe Ajshe Ajeti, pensioniste, thotë se me rritjen e çmimeve po iu vështirësohet jetesa.

“Te ne e vështirëson se 100 euro e kam pension, po çka me ba”, thotë shkurt ajo.

Shtrenjtimi i bukës, sipas qytetarit Ismet Berisha, është i rëndë për qytetarët.

“Për bukë është te na jashtëzakonisht e rëndë për popull, 50 centë dhe unë iu them edhe furrave që të mos e rrisin çmimin, pasi që është e papërballueshme për popull”, ka thënë ai.

Por, sipas Osman Osmanit, Qeveria nuk ka faj.

“Qeveria nuk ka faj këtu, është globale, është evropiane, mund të stimulojë ndonjë bukë ose në tatim, por tjetër s’ka çka bën. Faji i krizës botërore është”, ka thënë ai.

Kryeministri Albin Kurti, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ka paralajmëruar pako masash që do t’u vijnë në ndihmë qytetarëve. Ka kritikuar qeverisjet e kaluara për shpenzime të gjysmë miliardi euro të taksave për bujqësi, ndërkohë që ka rënie të produktivitetit.

Sipas tij, shkalla e inflacionit sipas Agjencisë së Statistikave në fund të muajit shtator ishte 4.9%, gjë që është në linjë me ngritjen globale të çmimeve për disa produkte.

“Mirëpo, ditëve të fundit jemi dëshmitarë të një fushate e cila trumpeton çdo ditë për rritje çmimesh dhe tenton të fajësojë Qeverinë për këtë. Kjo, në njërën anë, synon t’ua shtrojë terrenin manipuluesve për të ngritur çmimet me pretekstin se tani jemi në një ambient ku secili çmim duhet të ngrihet, pavarësisht se a ka ngritje të kostos apo jo, ndërsa, në anën tjetër, tenton të nxisë nervozë e panik te qytetarët. Paniku dhe pritjet se do të ketë rritje çmimesh ndikojnë në blerje të shtyra nga frika, gjë që pastaj rezulton në mungesë të produkteve në rafte, e rrjedhimisht edhe në ngritje të mëtutjeshme të çmimeve”, ka shkruar ai.

Sipas tij, “ata që po fajësojnë Qeverinë tani, kurrë nuk i kanë pasur brengë çmimin e bukës e as hallet e qytetarëve”.

“Përndryshe do të kishin reaguar me kohë kur zaptohej toka bujqësore. Për 10 vjet, më se gjysmë miliardi euro të taksave i kanë shpenzuar për bujqësi, e produktiviteti bujqësor ka pësuar rënie, sepse subvencionet nuk u shkonin bujqve, por xhepave të miqve të tyre. Janë po të njëjtit që nuk thanë asnjë fjalë kur fabrika e vajit në Ferizaj ishte shitur për skrap. E tani ankohen për çmimin e vajit të importuar! Janë po të njëjtit që vitin e kaluar, në emër të rimëkëmbjes ekonomike kishin shpërblyer supermarketet e mëdha me qindra e mijëra euro, përkundër faktit që ishin po ato biznese që kishin fitime rekord në kohë pandemie”, ka shkruar ai.

Edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka deklaruar se rritja e çmimeve të artikujve esencialë e rëndon edhe më tepër gjendjen sociale të qytetarëve, derisa ka bërë thirrje që të rritet paga minimale në vend.

“Si kryetar i BSPK-së, dhe njëkohësisht si kryesues i Këshillit ekonomik-social e ftoj publikisht Qeverinë që t’i bashkohet Këshillit ekonomik-social dhe të iniciohet rritja e pagës minimale në vend. Është e rëndësishme që kjo të bëhet sa më parë në mënyrë që të përfshihet në buxhetin e vitit të ardhshëm”, thuhet në komunikatën e Atdhe Hykollit, kryetar i BSPK-së.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve që pa dallim të përkrahin rritjen e pagës minimale në vend.

“Ne si BSPK, mbetemi të përkushtuar të bashkëpunojmë me Qeverinë dhe secilin institucion që mbështet kauzën e drejtë sociale për rritjen e pagës minimale në vend”.

Paga minimale aktualisht në Kosovë është 135 euro për punonjësit nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi 35 vjeç.

Agjencia e Statistikave e Kosovës ka bërë me dije se ngritja e çmimeve është vërejtur te produktet e mishit, qumështit dhe perimeve.

“Bukë dhe drithëra me 1.5 për qind, mish me 1.9 për qind, qumësht, djathë e vezë me 7.7 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 28.2 për qind, perime me 19.7 për qind, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira me 2.1 për qind, pijet alkoolike me 3.8 për qind, duhan me 2.7 për qind, gaz me 10.6 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 4.6 për qind, karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 26.7 për qind, shërbime për transport me 2.2 për qind, shërbime telefonike dhe të telefaksit me 20.3 për qind, pushime të organizuara turistike me 8.9 për qind, shërbime hoteliere me 2.3 dhe shërbime financiare me 6 për qind”, shkruhet në njoftimin e ASK-së.