Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se ka nisur veprimet e para procedurale për gjetjet e shkeljeve disiplinore apo ndonjë shkelje tjetër eventuale nga bartësi i lëndës në rastin e dhunimit të një 15-vjeçareje në Pejë.
Dy muaj më parë Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar me tetë muaj e tetë ditë burgim një person për dhunimin e një 15-vjeçareje.
Vendimi ka ngjallë reagime të shumta. Madje ishte raportuar se edhe Prokuroria Themelore në Pejë ishte pajtuar me këtë dënim.
“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik, se lidhur me rastin me numër : PP.nr.68/12 për veprën penale “Dhunimi”, nga neni 193, paragrafi 2, të KPK-së, Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Agim Kurmehaj, pas koordinimit me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kërkesës së tij, për shqyrtimin e këtij rasti, menjëherë janë ndërmarrë veprimet e para procedurale për gjetjet e shkeljeve disiplinore apo ndonjë shkelje tjetër eventuale nga bartësi i kësaj lënde. Pas përfundimit të gjitha procedurave dhe gjetjeve nga autoriteti kompetent, do vendoset konform ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet nga Prokuroria e Pejës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.