Arbëri

Haradinaj e quan Qeverinë sabotuese të orientimeve properëndimore

Descriptive Text

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, edhe një herë ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendimin e saj që të mosvazhdojë tash me projektin e gazsjellësit.

Në një reagim në Facebook, ai e ka quajtur shkurtpamës vendimin për refuzim të projektit të gazit, por edhe sabotim të orientimeve properëndimore të Kosovës.

“E vlerësoj lart qëndrimin e përbashkët të qeverive të SHBA dhe Greqisë për integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor, ku në mënyrë të veçantë specifikohet edhe Kosova, apo edhe gazjellësi amerikan, e që është i një rëndësie të jetike për ne si shtet i ri. Kjo na obligon që t’i kryejmë detyrat tona që rrugën e integrimit ta bëjmë sa më të lehtë e sa më të shkurtër. Kjo nënkupton poashtu që Kosova të mbështes të gjitha projektet që e afrojnë Kosovën sa më afër BE-së e NATO-s, duke përfshirë këtu edhe gazsjellësin amerikan, projekt ky i një rëndësie strategjike dhe ekonomike, që do të garantonte edhe sigurinë energjetike të vendit tonë. Justifikimet banale të qeverisë së Kosovës për refuzimin e këtij projekti, se kjo është ‘çështje e disa gypave’, janë jo vetëm shkurtpamëse, por edhe sabotim i orientimeve properëndimore e euroatlantike të Kosovës. Prandaj i bëj thirrje edhe një herë qeverisë së vendit tim që të kthjellohet e të mos vendosë pengesa në rrugën e pakthim euroatlantike të Kosovës!” ka shkruar Haradinaj.

Para rreth tre javësh, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se Qeveria e Kosovës ka vendosur të mos e çojë përpara projektin e gazsjellësit duke shtuar se 200 milionë eurot e financuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të orientohen në rrugë tjera të dekarbonizimit.