Mehmet Ballazhi, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Hanit të Elezit, ka shprehur besimin që Gjykata Supreme s’do të vendosë sikur Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për anulim të zgjedhjeve në këtë komunë.
Të enjten, PZAP-ja anuloi zgjedhjet e 17 tetorit duke vendosur që në Han të Elezit ka pasur presion ndaj qytetarëve për të votuar PDK-në, e cila në fund fitoi pa balotazh me 50.98 për qind, ndërsa Rufki Suma pas 12 vitesh si kryetar doli i dyti me 42.47.
“Para njoftimit se PZAP-ja ka marrë vendim për anulim, më erdhi çudi se si ka mundësi kështu sepse zgjedhjet ishin të qeta, demokratike e s’pati ankesë nga askush. Jam habitur, por janë organet e drejtësisë dhe askush s’është mbi ligjin. Realisht më është dukur e çuditshme dhe e palogjikshme që të më urojë fitore e në anën tjetër të bëjë ankesë. Ai ka vendosur kështu dhe i respektoj edhe vendimet e tij, por besoj se s’ka qenë e drejtë sepse ka mundur të mos më urojë dhe të vazhdonte me ankesë”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.
Ballazhi ka thënë se si shef i shtabit zgjedhor në Han të Elezit ka shkuar në vendvotime vetëm për “të uruar punë të mbarë e të porosis që zgjedhjet të shkojnë në mënyrë të qetë”.
“Kam shkuar si zakonisht e s’kam thënë diçka që mund të dëmtonte procesin zgjedhor. Besoj se s’është presion, sepse s’ka pasur ankesë as në të kaluarën. S’më ka shkuar kjo në mendje, por kam konsideruar se ka nevojë të shkoj. Më është dukur e palogjikshme të bënte ankesë e as nuk kishte fakte sepse mu dukën aq qesharake, sepse i kam deklaratat e të gjithë komisionerëve që thonë ndryshe nga ajo që ka deklaruar zoti Suma. Veç i kam përshëndetur duke u thënë ‘a jeni lodhë e a jeni mirë’. Më duket qesharake. Kjo është logjike, humane e s’më ka shkuar mendja që zoti Suma ta bëjë këtë, por ai ka shkuar aq larg edhe pse e kuptoj se pas 12 vitesh është e vështirë ta lërë pushtetin. S’kam menduar që është kaq i dhënë pas pushtetit e të bëjë këso gjëra të pahijshme. Meqë më ka uruar fitoren është dashur ta kalojë më qetë. Ai tani mundohet të shpikë lloj-lloj insinuate”, ka akuzuar Ballazhi Sumën.
Ai ka thënë se të premten do të ankohet në Supreme. Ka deklaruar se “Supremja s’është në nivelin e Sumës që të marrë vendim për anulim”.
Po që se Supremja vendos sikur PZAP-ja për të përsëritur zgjedhjet, Ballazhi ka thënë se do të fitojë edhe më thellë.
“Do të turpërohet nëse ndodh të ripërsëriten zgjedhjet sepse do të ketë humbje edhe më të thellë. Ne do të kemi fitore edhe më bindëse. Do të doja ta falënderoja zotin Suma sepse do të festojmë për herë të dytë. S’është fakt sepse unë i kam përshëndetur ata që ishin në vendvotime dhe s’kam shkelur diçka. Zoti Suma mund të bëjë insinuata e mashtrime, por s’mund të besoj se Supremja bie në lajthitje e t’u besojë fakteve të pabaza. Besoj shumë në vendim të drejtë të saj”, ka thënë ai teksa ka përfunduar se “tashmë qytetarët e kanë pa se Suma po e tepron me pushtetin duke mos i përmbushur kërkesat e tyre”.